




Analisti Shkëlzen Gashi ka thënë se i ka pëlqyer qëndrimi i PDK-së gjatë ditëve të fundit, që lidhje me situatën e tensionuar në veri të vendit.
Ai ka thënë se opozita duhet të jetë sikurse qëndrimi i PDK-së, e cila i kërkonte kryeministrit Albin Kurti që t’i heq barrikadat, duke ia premtuar edhe mbështetjen.
“Duhet të them këtu që më pëlqeu shumë PDK gjatë këtyre ditëve, sidomos kryetari Krasniqi, i cili i tha kryeministrit hiqi barrikadat se ne të mbështesim. Kështu duhet të jetë opozita”, ka deklaruar Gashi në emisionin Pressing të T7.





“E jo opozita me i bë qeverisë thirrje për me lëshu pe. Lësho pe, kryeministër pranoje, ndëgjoje bashkësinë ndërkombëtare. Jo, jo, kryeministër mos lësho pe, hiqi barrikadat”, ka shtuar ai.
Gashi ka deklaruar se Qeveria e ka menaxhuar mirë situatën e ditëve të fundit, deri në heqjen e barrikadave. Ai ka thënë se barrikadat po hiqen pa përmbushur kushtin e Serbisë, që lidhej me formimin e Asociacionit me kompetenca ekzekutive.
“Ndoshta ka me pasë asociacion, por jo me kompetenca ekzekutive”, ka thënë Gashi.