Gazeta prestigjoze britanike “The Guardian”, listoi ndër 10 librat më të mirë për “Perden e hekurt” që ndau Evropën në dy pjesë gjatë Luftës së Ftohtë, edhe librin biografik “Enver Hoxha-grushti i hekurt” i publicistit dhe gazetarit të njohur shqiptar Blendi Fevziu.
“Enver Hoxha”, një botim i UETPRESS në vitin 2011, është e para biografi e bazuar në dokumentet e arkivit personal dhe në rrëfimet e atyre që e njohën nga afër ish-diktatorin që drejtoi Shqipërinë e izoluar në vitet 1945-1985.
Biografia e Fevziut për Enver Hoxhën mori vlerësime të larta nga njerëz të shquar të letrave dhe të politikës. Ismail Kadare do të shprehej se: “Nga ky libër kam mësuar për çudinë time, mjaft gjëra që mendoja se i dija por që në të vërtetë nuk i kam ditur, ose i kam ditur por jo kaq të qarta dhe kaq të dokumentuara.”
Tim Judah, analist i “The Economist” do të shkruante: “Libri i Blendi Fevziut, një gazetar i njohur shqiptar, është përpjekja e parë serioze për të rrëfyer jetën e Hoxhës sipas arkivave shqiptare! Një ekonomist i njohur tha se e lexoi librin në dy ditë dhe se ai mund të titullohej: “Njeriu që vrau gjithë miqtë!”
Ndërsa ish-kryeministri Berisha do të shprehej: “Autori ka paraqitur në mënyrën më të dokumentuar mizoritë e tij për të mbajtur pushtetin. Mendoj se ky libër hedh dritë mbi bazë dokumentesh, gjer sot, asnjë të përgënjeshtruar. Kush ishte Enver Hoxha? Një vrasës që në vitet e apra të karrierës së tij politike. Një diktator i egër, i cili eliminoi një nga një bashkëpunëtorët dhe shokët e tij.”
Libri u përkthye në anglisht nga shkrimtari dhe studiuesi i ndjerë Robert Elsie, i lidhur shumë me Shqipërinë dhe shqiptarët.
Top 10 librat e ‘The Guardian” për ‘Perden e hekurt”
1. “Eight Days at Yalta”-by Diana Preston
2. “The Third Man”- Graham Greene
3.“Alex von Tunzelmann’s Blood and Sand”- Suez, Hungary and the Crisis That Shook the World
4.“Berlin 1961”- Kennedy, Khrushchev and the Most Dangerous Place on Earth by Frederick Kempe
5.“The Spy Who Came in from the Cold”- John le Carré
6. “Red Love: The Story of an East German Family”- Maxim Leo
7. “Soviet Milk”- Nora Ikstena
8. “Along the Edge of the Forest: An Iron Curtain Journey”- Anthony Bailey
9. “Enver Hoxha: The Iron Fist of Albania”- Blendi Fevziu
10. “Dancing Bears: True Stories of People Nostalgic for Life Under Tyranny”- Witold Szabłowski