Ish-kryenegociatorja e Kosovës në dialogun me Serbinë, Edita Tahiri, ka folur për kohën kur ajo ka udhëhequr bisedimet me shtetin fqinj.
Ajo tha se sovraniteti që është arritur në kohën sa ishte kryenegociatore “tash nuk është”, mirëpo sipas saj, sovraniteti prapë mund të kthehet.
Në emisionin “Pressing” të T7, Tahiri deklaroi se Kosova duhet të ketë qasje racionale.
“Në kohën kur kemi mbërrirë marrëveshjet në Bruksel, sidomos ajo e 2013, kur kemi filuar t’i zhbëjmë dhe i kemi zhbërë strukturat paralele ilegale e kriminale dhe kemi bërë pastaj vendosjen e institucioneve të Kosovës në Veri kur i bombardoi Serbia. Ajo ishte krenari. Në fakt, atë sovranitet që mbërrimë ne atëherë, nuk e kemi tash më. Praktikisht ra sovraniteti në Veri, për shkak të zhvillimeve, por pa e dramatizuar, edhe që ka ra sot, nesër rikthehet. Pra kjo situatë nuk mbetet dhe nuk duhet ta marrim me dramë. Duhet të kemi qasje racionale”, tha ajo.
Kujtojmë që sot është dita e 18-të prej kur serbët lokalë kanë nisur të vendosin barrikada nëpër rrugë në Veri, në shenjë revolte për arrestimin e ish policëve serbë të Policisë së Kosovës.