




Situatën e krijuar në pjesën veriore të vendit, Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, e ka vlerësuar për alarmante për çka u shpreh i shqetësuar se ajo mund të dalë edhe krejtësisht jashtë kontrollit.
Është urgjente që Kosova të mobilizojë gjithë potencialin e vet politik, diplomatik, intelektual e të sigurisë në përballje me këtë rrezik të madh, u shpreh Haradinaj.
Mes tjerash, kreu i AAK-së kërkoi edhe nga partnerët ndërkombëtarë, posaçërisht Washingtonin, që ta marrin nën kontroll situatën në veri dhe ta ndalin përshkallëzimin e mëtejmë, i cili paraqet rrezik edhe për paqen në rajon.
Reagimi i plotë i Haradinajt:





Skenari i regjimit pro-rus të Serbisë për destabilizimin e Kosovës, po hyn në një fazë kritike.
Mbyllja e pikave kufitare njëra pas tjetrës, sulmet e grupeve kriminale të sponzorizuara nga Serbia, ndaj qytetarëve, gazetarëve, Policisë, Eulexit e pjesëtarëve të KFOR-it dhe kujtdo tjetër që e kundërshton këtë skenar ogurzi, kanë marrë përmasa shqetësuese.
Gjendja mund të përshkallëzojë dhe të dalë krejtësisht jashtë kontrollit.





Prandaj në një situatë të tillë, është urgjente që Kosova të mobilizojë gjithë potencialin e vet politik, diplomatik, intelektual e të sigurisë në përballje me këtë rrezik të madh.
I bëj thirrje Kryeministrit që të sillet në përputhje me situatën e krijuar!
Serbia nuk zbrapset me retorika boshe luftënxitëse e as me “trimat e rrjeteve sociale”.
Gjendja është e rëndë dhe kërkon maturi e koordinim, jo vetëm me faktorin e brendshëm por edhe me partnerët ndërkombëtarë.
Njëkohësisht, lus partnerët e sigurisë, posaçërisht Washingtonin, që ta marrin nën kontroll situatën në veri dhe ta ndalin përshkallëzimin e mëtejmë, i cili paraqet rrezik edhe për paqen në rajon!