Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se plani franko-gjerman është për një marrëveshje fillestare me Serbinë, e jo përfundimtare.
Abdixhiku ka thënë se ky plan lë hapësirë për negocime 10-vjeçare me Serbinë për njohjen finale.
“Ndjenja ime është që bëhet fjalë për një marrëveshje fillestare, jo përfundimtare, e cila më pas lë hapësirë për negocime të mëtutjeshme 10-vjeçare me Serbinë prapë, deri në njohjen finale. E procesi i Kosovës kërkon që të ketë marrëveshje përfundimtare, që Kosovës i përmbyllë obligimet me Serbinë. Pra, ne nuk guxojmë të vijmë në një gjendje ku nënshkruajmë një marrëveshje me palën serbe, që është derë hapëse për marrëveshje me negociata tjera, pra marrëveshja e Kosovës me Serbinë duhet të jetë e fundit”, ka deklaruar Abdixhiku në RTK.
Ai ka treguar se e ka parë draftin e parë të këtij plani dhe ka thënë se njëra prej pikave parasheh që Kosova të jetë në proces dialogues me Serbinë edhe pas planit, e që për të është e pakuptimtë.
“Nuk po them që s’është opsion (plani franko-gjerman), por them që nuk guxojmë që brenda një plani të tillë të kemi hapësirë për negociata të mëtutjeshme. Unë e kam parë planin, draftin e parë që më është prezantuar në takimin me kryeministrin, shumë shkurt, s’jemi palë diskutuese dhe nuk jemi as palë komentuese, pra nuk kemi rol. Për aq sa kam mund të shoh, kam parë që njëra prej pikave të planit parasheh që Kosova të jetë në proces dialogues edhe pas planit me Serbinë, që është e pakuptimtë”, tha Abdixhiku.
Abdixhiku tha se institutionet e Kosovës duhet të kërkojnë që marrëveshja me Serbinë për normalizim të marrëdhënieve me njohjen reciproke në qendër, “të jetë marrëveshja e fundit që Kosova ka me Serbinë”.
“Pra, unë besoj që institucionet e Kosovës, cilado qofshin ato dhe në çfarëdo roli që janë, dhe në veçanti partitë politike, duhet të kërkojnë që marrëveshja me Serbinë për normalizim të marrëdhënieve me njohjen reciproke në qendër, t’jetë marrëveshja e fundit që Kosova ka me Serbinë, jo marrëveshje bazë”, tha ai.