




Ish-ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Gëzim Podgorica, thotë se tensioni me Serbinë, filloi kur presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, iu paraqit plani franko-gjerman.
Në një intervistë për Euronews Albania, Podgorica u shpreh se pas njohjes me planin, Serbia ka bërë çdo gjë për të sjellë tension dhe përplasje.





Sipas tij, targat dhe arrestimi i një polici serb, po përdoren si pretekste nga Vuçiq.
“Situata në fakt është shumë e mbarsur, me tension, në prag konflikti dhe një konflikt i paralajmëruar. Që kur u vendos mbi tavolinën e presidentit serb, plani franko-gjerman, i cili do impononte pastaj një marrëdhënie tjetër me Kosovën, është inspiruar gjithnjë tension, përpjekje për të arritur ballafaqimin deri në shkallën e përplasjes”.
“E them këtë, jo vetëm për faktin se Serbia është metafora e konfliktit në rajon, por për atë që ajo ka inspiruar gjatë gjithë kësaj kohe. Nuk mendoj se ishte çështja e targave, apo në rastin konkret arrestimi i një polici, ato që e kanë çuar deri në këtë pikë. Sigurisht që mbetet një pretekst, mbetet një regji e inskenuar nga Serbia”, theksoi ai.