Asociacioni i Komunave me Shumice Serbe duhet të formohet atëherë vetëm kur në Veri të Kosovës sigurohet paqja dhe ndalen incidentet.
Kështu të paktën ka deklaruar ish-ambasadori i Serbisë në Britaninë e Madhe dhe Gjermani, Ognjen Pribiçeviç, duke shtuar se vetëm kur dy këto kushte plotësohen atëherë Kosova dhe Serbia duhet të fillojnë të punojnë intensivisht për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme dhe të përhershme në kuadër të dialogut i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
“Është më se e nevojshme të gjendet një zgjidhje e qëndrueshme, e cila nuk është e lehtë, por e mundur”, ka thënë diplomati serb, raporton mediumi serb, Nova.rs.
Çfarë po ndodh në Veri?
Situata e tensionuar në Veri të Kosovës që nga muaji nëntor është përshkallëzuar pas arrestimit të ish-policit me kombësi serbe, Dejan Pantiç, i cili dyshohet për su. lmin e 6 dhjetorit në zyrën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Veri.
Ai ishte larguar nga radhët e policisë bashkë me afër 600 të tjerë meqë kolektivisht vendosën ta braktisin forcën policore me urdhër politik të Listës Serbe për të lëshuar institucionet në të gjitha nivelet.
Për të kundërshtuar arrestimin e tij, grupe të qytetarëve serbë në Veri ngritën barrikada qysh më 10 dhjetor.
Për shkak se barrikadat kanë bllokuar rrugët që çojnë drejt pikëkalimeve kufitare, Jarinjë dhe Bërnjak – që lidhin Kosovën dhe Serbinë këto dy pika janë mbyllur për qarkullim.
Edhe pse institucionet e Kosovës thanë se kanë kapacitete për largimin e barrikadave të ngritura në Veri, ata shtuan se i kanë dhënë kohë misionit të NATO-s, KFOR, që ta bindë komunitetin lokal që t’i largojë vetë ato.
Kjo krizë ka bllokuar edhe dialogun në Bruksel, i cili u duk se po futej në një fazë përfundimtare me propozimin franko-gjerman.
Aktualisht në Veri forca patrulluese është KFOR-i, derisa policia e Kosovës nuk mund të lëvizë vetë në vende të ndryshme pa asistencën e KFOR-it.
Për pasojë edhe një grup policësh mbetën të bllokuar në pikat kufitare në Veri për 14 ditë, derisa KFOR dhe EULEX ndihmuan zëvendësimin e tyre.
Gjatë raportimit nga vendi i ngjarjes brenda 17 ditëve, 13 punëtorë të medias janë su. lmuar në Veri, në mesin e tyre kanë qenë gazetarë/e, fotoreporterë, kameramanë, shoferë.
Kurse, më 26 dhjetor, rreth orës 20:00 të së dielës u dëgjuan breshëri armësh në rrethinë të Zubin Potokut në Veri të Kosovës, afër njërës nga barrikadat e vendosura nga serbët atje./Albanianpost