




Misioni i KFOR-it ka konfirmuar se kërkesa e Kosovës që përmes një helikopteri, i arrestuari Dejan Pantiq të transferohej nga Jarinja për në Prishtinë është refuzuar për shkak të mungesës së sigurisë.
“Komandanti i KFOR-it ka autoritetin parësor për hapësirën ajrore mbi Kosovë, në përputhje me mandatin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Çdo kërkesë e refuzuar ishte për shkak se, si në situatën aktuale, nuk kishte kushte të nevojshme të sigurisë”, thuhet në përgjigjien e KFOR-it për RTV Dukagjinin.





Në ndërkohë situata në veri të vendit gjatë ditës së shtunë ka qenë e qetë.
Ani pse janë bërë dy javë që rruga që të çon në pikën kufitare në Jarinjë është e bllokuar nga barrikadat, ato nuk janë larguar akoma.
Aty, pos nga ajri situata po monitorohet edhe nga toka përmes trupave të KFOR-it.
Por brenda Mitrovicës së Veriut, në Lagjen e Boshnjakëve të banuar me shumicë shqiptare, patrullon Policia e Kosovës.
Policët e Kosovës të cilët tash e dy javë kanë qenë të bllokuar në Leposaviq, për shkak të barrikadave të vendosura nga serbët lokalë, tashmë janë zhvendosur nga aty e zëvendësuar nga policë të tjerë.





Kështu ka njoftuar gazetari Venhar Isufi.
Ai tha se të njëjtit janë transportuar nga veriu në drejtorinë policore në jug.
“Policet te cilet kane qene te bllokuar tash e 2 jave ne Leposaviq, per arsyeje te bllokadave ne veri te Kosoves, sapo eshte bere nderrimi i tyre, ata tashme gjinden ne drejtorin policore ne jug.
Nje lajm i jashtezakonshem, i cili sapo me eshte konfirmuar nga burimet e sigurta brenda policise se Kosoves”, njoftoi ai në Facebook.