Një rrahje në mes të dy punëtorëve të Ndërmarrjes Publike Lokale “Prishtina Parking” dyshohet se ka ndodhur mbrëmjen e së martës, kur punëtorët e kësaj ndërmarrje po mbanin darkën e përbashkët të fundvitit.
Në këtë ngjarje kanë intervenuar edhe Policia e Kosovës të cilët kanë arrestuar njërin nga të përfshirët në rast, përderisa tjetri është duke u trajtuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, i cili si pasojë e përleshjes iu është nënshtruar një intervenimi kirurgjik.
KALLXO.com ka kontaktuar edhe me kryeshefin e “Prishtina Parking”, Sokol Havolli, i cili e ka konfirmuar që ngjarja ka ndodhur.
Ai ka thënë se ndaj dy personave të përfshirë janë marrë masat disiplinore sipas politikave të ndërmarrjes.
“Ka qenë një incident në mes dy kolegëve të ndërmarrjes tonë, unë kam qenë brenda, një pjesë e kolegëve kanë qenë jashtë, kur e kam kuptuar, e kam ftuar Policinë edhe ata janë duke u marrë me rastin në fjalë” – tha Havolli për KALLXO.com.
Tutje ka treguar se njëri nga të përfshirët është menaxher i kontrollorëve, ndërsa tjetri është inkasant i pikave të tjera të parkingut.
“Janë pozita të mesme dhe të ulëta, nuk janë drejtorë. Njëri është menaxher i kontrollorëve, tjetri është inkasant i pikave të tjera. Policia është duke u marrë” – shtoi ai.
Tutje Havolli ka treguar se sot i ka vizituar të dy palët dhe ka thënë se të njëjtit e kuptojnë gabimin që kanë bërë.
“Është e pavërtetë që unë e kam qenë në gjendje të dehur, nuk ka të bëjë më njerëz të ish-kryeshefit, as të mitë sepse as ai as unë nuk kemi njerëz aty” – ka thënë Havolli.
KALLXO.com ka kontaktuar edhe me ish-kryeshefin Liridon Restelicën, i cili ka thënë se e sheh të pakuptim që ai të kontaktohet për këtë punë dhe se nuk ka ndonjë informacion për rastin në fjalë.
Në anën tjetër, Policia në raportin 24-orësh ka treguar se me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.