Njëri nga aksionarët më të mëdhenj te FC Prishtina, Remzi Ejupi, i ftuar në emisionin “DPT te Fidani” në T7 ka folur rreth situatës së fundit të krijuar në futbollin kosovar.
Federata e Futbollit e Kosovës nuk është licencuar ende nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, shkruan Gazeta Express.
FFK-ja nuk është licencuar ende pasi nuk ka kompletuar dokumentacionin ashtu siç kërkohet.
MKRS-ja insiston se Federatat sportive mund të licencohen, përkatësisht ta fitojnë cilësinë e Federatës sportive vetëm me plotësimin e kushteve dhe kritereve të përgjithshme dhe specifike të parapara me Udhëzim Administrativ.
Kësisoj, zyrtarët e shumë klubeve të futbollit janë shprehur të shqetësuar nga kjo situatë, pasi mos-licencimi i FFK-së nënkupton edhe ndaljen e benifiteve nga Ligji i Sponsorizimit.
Ejupi tha se situata është shumë serioze, duke shtuar se shumë klube mbijetojnë falë Ligjit për Sponsorizim.
“Situata është shumë më shumë serioze sesa duket. Klubet pa ligjin për sponsporizim nuk mund të mbijetojnë. Shumë klube janë të varura nga sponsorizimi. Ministria nuk mund të jetë për dikë ‘nënë’ e për dikë ‘njerkë’, pra nuk mund të kërkoj nga basketbolli përmbushjen e këtyre kritereve e nga futbolli jo”, tha ish-kryetari i klubit kryeqytetas.
Tutje, Ejupi u pyet se nëse ka kandidat për pozitën e kryetarit të FFK-së, në rast se shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme.
“Kandidat ka. Nuk besoj se Kosova ka mbetur vetëm në një kandidat. Duhet gjetur dikush që i mbledh klubet, njerëzit e futbollit”, tha ai.
Kujtojmë se Remzi Ejupi ka qenë iniciues për të sjellë një model gjerman për përpilimin e Ligjit të Sponsorizimit, që vlerësohet si një prej ligjeve më të mira të mundshme, pasi sponsorët e sportit lirohen deri në 30% nga tatimi në fitim. /Gazeta Express/