




Për herë të parë në Kuvendin e Greqisë është folur për pakica kombëtare vllahe, shqiptare dhe sllavomaqedonase.
Kjo ka ndodhur gjatë një debati në Kuvendin grek më 8 prill 2022. Ishte deputetja e “Mera 25” në Parlamentin grek, Sofia Sakorafa, e cila përmendi shqiptarët si pakicë në Greqi.
Deklarata e saj ka shkaktuar zemërim të madh brenda Greqisë, ku shumë politikanë i kanë dalë kundër.





Kjo, pasi grekët nuk i njohin shqiptarët vendas aty, si pakicë kombëtare, ndryshe nga sa bën Shqipëria.
Deputetja konkretisht gjatë fjalës së saj në Kuvend duke folur për një minoritet “vlleh”, “shqiptar” dhe “sllavo-maqedonas” në Greqi, ka kërkuar që gjuhët e tyre të mësohen në shkollat e vendit.
Deklaratat në fjalë:
“Ne kemi detyrimin që në procesin arsimor, në shkolla, t’u japim minoriteteve mundësinë të përjetojnë diversitetin dhe traditën e tyre gjuhësore.





Një parantezë këtu: Së fundi, shteti grek ka detyrimin të kapërcejë trajtimin fobik dhe kompleks të gjuhëve dhe kulturës së veçantë të komuniteteve të tij.
Solidariteti kombëtar dhe ekzistenca e kombit nuk kërcënohet as nga ata, as nga vllehët, as shqiptarët e as sllavomaqedonasit.
Dhe askush nuk ka të drejtë të krenohet me historinë e shtetit grek në këtë fushë” u shpreh deputetja.