Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj i tha Zërit të Amerikës se Asociacioni i komunave me shumicë serbe duhet të jetë pjesë e marrëveshjes përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ndërsa qeveria duhet të trajtojë me kujdes situatën në veri.
Haradinaj tha se propozimi evropian i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara për një marrëveshje Kosovë – Serbi paraqet njohje të ndërsjellë pavarësisht që kjo nuk përmendet në dokument.
” Ndërsa po është thënë që kthimi në institucione do të ndërlidhet me Asociacionin, por me siguri që këto janë procese të dyja, edhe kthimi edhe Asociacioni nuk janë çështje që zgjidhen njëherësh ose për një ditë. Mendoj se sa i përket Asociacionit zgjidhja vjen me marrëveshjen finale, ndërsa kthimi në institucione është një proces i brendshëm që duhet të ndodhë edhe Prishtina duhet të intensifikojë një dialog të brendshëm me serbët lokal”, ka deklaruar Haradinaj.
“Tani ka fituar në peshë Asociacioni dhe ky ka qenë edhe shqetësimi im në të kaluarën, e kam lutur edhe kryeministrin Kurti që të ketë kujdes nga këto veprimet e njëanshme, për shkak se pastaj do të ketë edhe kërkesa ta quajmë ashtu të njëanshme. Ne tani kemi arritur në situatën kur veçse hetohet një qasje ndëshkuese ndaj qeverisë dhe kryeministrit për veprimet e tij të njëanshme ose befasuese në terren”, ka shktuar Haradinaj për Zërin e Amerikës.