Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë sot në kryeqytetin e Azerbajxhanit se Serbia në lidhje me Kosovën po përballet me “paturpësinë e fuqive të mëdha” që e kërkojnë kthimin e serbëve të veriut të Kosovës në institucione.
Siç raporton Danas, Vuçiq ka thënë se Baku se dëgjon komente se kërkesa për kthimin e ushtrisë serbe në Kosovë është absurde, por nuk është absurde që në Kosovë të ketë trupa shqiptare, kroate dhe gjermane, siç tha ai, në “tokën e shenjtë serbe”.
Ai ka përsëritur se pret përgjigje negative nga KFOR-i për kthimin e ushtrisë serbe, por thotë se KFOR-i sillet në mënyrë korrekte dhe në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
“Kur të shtyjnë deri në fund, kur të fusin në qosh, atëherë nuk ke ku të shkosh tjetër”, tha Vuçiq.
“Fillimisht, formoni Asociacionin e Komunave Serbe, pastaj do të heqim barrikadat”, ka thënë Vuciq para gazetarëve në Azerbajxhan, ndonëse kishte mohuar se ai qëndron pas barrikadave.
Sipas tij, Kosova nuk dëshiron të dëgjojë, por vetëm ta poshtërojë Beogradin.
“Mund të përpiqeni (të poshtëroni) deri në një kufi të caktuar, atëherë kur nuk kemi ku të shkojmë – si miu në një qoshe, ne do të mbrohemi me të katër këmbët”, tha Vuçiq.
Ai po ashtu tha se në Azerbajxhan ka parë se sa investojnë në ushtri dhe në industrinë ushtarake dhe se shumë gjëra do të duhet të ndryshojnë edhe në Serbi.
“Nuk kemi njësi speciale të mjaftueshme, do t’i rrisim katërfish, këta njerëz do të kenë të ardhura dukshëm më të larta se sot”, tha Vuçiq për ekipet mediatike nga Serbia që qëndrojnë në Baku.