




Serbët në veri të Kosovës kanë vendosur sërish barrikada dhe këtë herë janë aty në shenjë proteste kundër arrestimit të ish-policit të dyshuar për “terrorizëm”, të cilin Prokuroria Publike e Kosovës e akuzon se ka kryer një sulm me bombë në objektin e komisionit zgjedhor në Mitrovicë.
Serbët donin të pengonin zgjedhjet lokale në veri, të cilat u shpallën pasi të gjithë zyrtarët serbë u larguan nga institucionet e Kosovës në fillim të nëntorit. Disa qindra policë serbë u larguan nga policia e Kosovës, ashtu si edhe gjyqtarët serbë që nuk punojnë më në veri të Kosovës.





Bojkoti i institucioneve të Kosovës ishte një reagim ndaj planit të kryeministrit të Kosovës Albin Kurti për ndalimin e targave të lëshuara nga autoritetet serbe në Kosovë dhe zëvendësimin e tyre me ato të Kosovës. Për Kurtin është çështje e parimit të reciprocitetit sepse Serbia nuk i pranon targat e Kosovës.
Në ndërkohë, Prishtina i shtyu të dy projektet, zgjedhjet lokale dhe vendosjen e targave të reja, ndoshta nën presionin e BE-së dhe mbi të gjitha të SHBA-së. Tani Perëndimi po kërkon gjithashtu nga Serbia të zbusë tensionet.





Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rode, mendon se deri në Krishtlindjet Katolike duhet të hiqen barrikadat në veri të Kosovës.
“Pozicioni ynë është i qartë. Ato janë të paligjshme dhe ata që i kanë instaluar duhet t’i largojnë sa më shpejt. KFOR-i është këtu për të siguruar një mjedis të sigurt dhe lëvizje të lirë. Kështu që unë jam optimist se do të realizohet, shpresoj sa më shpejt që të jetë e mundur, sepse gjëja e fundit që na duhet është përshkallëzimi i mëtejshëm i situatës”, tha Rode.
Ai tha se qëndrimi i Gjermanisë për kërkesën e Beogradit drejtuar KFOR-it për kthimin e forcave serbe në Kosovë është i qartë. Sipas tij, të njëjtin qëndrim kanë edhe SHBA-të.”





“Është një kërkesë e papranueshme dhe absurde. Ne kemi rezolutën 1244. Janë disa paragrafë që janë zbatuar në situatën e asaj kohe,” theksoi Rode.
Ndaj deklaratave të Rode-s ka reaguar presidenti serb Aleksandar Vuçiç. Ai tha se Rode është i njohur në Prishtinë për “pikëpamjet e tij antiserbe” dhe se deklarata e tij është e rrezikshme. “Është një kërcënim për popullin serb”, tha Vuçiç.
“Gjermania dëshiron dominim të plotë në Ballkan”, pohoi Vuçiç dhe shtoi se ai “gjithmonë e dinte se dikush po e shtynte Kurtin në çekuilibrin e tij”.