Shefi i Grupit Parlamentar në Partinë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri ka thënë ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj para se të jetë thjesht ambasador, është një “aferë e thellë” me multi-protagonistë që shtrihet në disa vende. Ai ka thënë se Berishaj po hetohet në disa shtete.
Sipas Tahirit, “Afera Berishaj” shtrihet deri te zyrat qendrore të pushtetit në Kosovë, duke thënë se Komisioni Hetimor Parlamentar nuk kishte mandat e as instrumente në dispozicion për ta dëshmuar strukturën e thellë mafioze ku është i përfshirë ambasadori.
“z. Martin Berishaj, nuk është rastësisht ambasador i Kosovës dhe as thjeshtë “një ambasador i Kosovës”. Ai është parasëgjithash, një “aferë e thellë” me multi-protagonistë që shtrihen në disa vende, e arrijnë deri tek zyrat qendrore të pushtetit në vendin tonë. Përkundër vullnetit e gatishmërisë për t’i shkuar deri në fund, në Komisionin Hetimor Parlamentar nuk kishim as mandat e as instrumente për të dëshmuar strukturën e thellë mafioze e lidhjet para politike dhe implikimet që lidhen me “Aferën Berishaj”, por e njëjta, tash figuron se është duke u hetuar penalisht në disa vende”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se dorëheqja e Berishajt nuk është më vetëm çështje etike. Ai ka kërkuar që ambasadori në Kroaci të shkarkohet.
“Çdo ditë e më shumë që z. Martin Berishaj qëndron në postin e një zyrtari të lartë të shtetit, si ambasador i Kosovës në Kroaci, është implikim i vetëdijshëm i pushtetit dhe shtetit në këtë aferë. Dorëheqja e tij, nuk është më çështje etike. Nëse jo dorëheqja, shkarkimi i tij është domosdoshmëri, për t’i hapur rrugë zbardhjes së të vërtetës rreth kësaj afere”, ka shkruar Tahiri.