Mediumi zviceran NZZ am Sonntag raportoi se përfaqësues kosovarë dhe serbë kanë zhvilluar ‘negociata sekrete’ në Zvicër. Një takim, që edhe është konfirmuar nga Departamenti Federal i Punëve të Jashtme është mbajtur në mesin e nëntorit mes përfaqësuesve kosovare dhe serbë. Mediumi serb, Kosovo Online, i afërt me pushtetin e Serbisë, ka publikuar një version rreth këtyre takimeve në Zvicër.
Sipas këtij mediumi, më 11 dhe 12 nëntor, Këshilli për Qeverisje Gjithëpërfshirëse (CIG) ka organizuar një takim joformal me përfaqësues të partive parlamentare të Kosovës dhe të Serbisë “për të shkëmbyer mendime mbi marrëdhëniet në të ardhmen dhe për të zgjidhur cështjet urgjente”.
Pjesëmarrësit kanë folur për tensionet e krijuara në fillim të nëntorit dhe perspektiven për një marrëveshje gjithëpërfshirëse, të bazuar në kornizat e tanishme të BE-së.
Sipas këtij raportimit, këto janë takime që janë mbajtur që nga viti 2016 nën rregullin ‘Chatham House’, që i bie se përmbajtja e takimeve, deklaratat e pjesëmarrësve, e përfaqësuesve të partive politike, të OJQ-ve nga Serbia dhe Kosova, nuk bëhen publike.
Kosova Online raporton se Serbia është përfaqësuar nga Nemjana Staroviq, Sanda Raskoviq Iviq, Branko Ruzhiq, Gjorgje Paviçeviq, ndërsa Kosova është përfaqësuar nga Mimoza Kusari e Lëvizjes Vetëvendosje, Lutfi Haziri i LDK-së dhe Ardian Gjini i AAK-së.
Mediumi serb në Kosovë citon një nga anëtarët e bordit të drejtorëve të CIG, Alex Roinishvili Grigorev, të ketë thënë se nuk ka pasur asgjë spektakolare apo sekrete në këto takime dhe se kanë qenë diskutime të partive parlamentare, që mbahen prej vitit 2015.