




Hetimet disa mujore të Policisë kanë rezultuar me kapjen e personit të dyshuar për mashtrim, i cili dyshohet se ia zhvati një prishtinasi 132 mijë euro për blerjen e një prone. Gazeta Sinjali raportoi sot se i dyshuari është arrestuar sot dhe tashmë ndodhet nën masën e ndalimit policor.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se personi që ra në prangat e Policisë nën dyshimet se është përfshirë në këtë rast është 50-vjeçari Agim Zeqiri.
Ai po dyshohet se ka kryer veprën penale “Mashtrimi” duke i prezantuar viktimës, një 32-vjeçari dokumente fallco që gjoja se lidheshin për blerjen e pronës për të cilën ishin marrë vesh vitin e kaluar.





Hetimet lidhur me këtë rast kanë nisur si rezultat i denoncimit të viktimës, i cili kërkoi ndihmën e Policisë pasi e kuptoi se është vënë në lajthitje nga i dyshuari.
I riu po dyshohet se ia ka dhënë të dyshuarit 132 mijë euro nga muaji prill i vitit të kaluar, të ndara në disa pjesë. Por meqë i dyshuari s’po bëhej i gjallë dhe premtimi i tij për dokumentacionin e pronës nuk po realizohej, ai e denoncoi rastin.





Pas disa muajsh, Policia ka arritur ta arrestojë të dyshuarin sot, i cili është shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku ka dhënë deklaratën e tij për veprën me të cilën ngarkohet.
Pas përfundimit të procedurave, me urdhër të Prokurorit të Shtetit rasti është iniciuar ‘Mashtrim’, teksa veprimet tjera do të ndërmerren brenda afatit ligjor.





Sinjali do t’iu mbajë të informuar me detajet e reja lidhur me rastin.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata./GazetaSinjali