Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në Konferencën e gjashtë të Ambasadorëve, të mbajtur në Prishtinë ka thënë se instrumentet kryesore të politikës së jashtme për Kosovën janë diplomacia, ekonomia dhe mbrojtja.
Sipas tij, i takon diplomacisë t’i integrojë në punën e vet gjithë instrumentet dhe fushat e mundshme.
“Ju takon juve të thoni se si e dimë ne të vërtetën tonë. Ju jeni të pranishëm në përditshmërinë e vendeve ku veproni. Përditshmëria atje ku jeni duhet analizuar sipas individëve, profesioneve dhe institucioneve të tyre. Duhet t’iua përçojmë pa droje “dijen tonë për historinë” dhe “informacionin tonë për aktualitetin”, iu ka drejtuar kryeministri Kurti ambasadorëve.
“Ata njohin Ballkanin e tyre, ne duhet t’iu shpjegojmë tonin. Atë Ballkan ku fqinji ynë verior po sulmon me të gjitha mënyrat tri vende fqinje të saj duke i dhënë një ndihmë shumë të madhe Rusisë e duke u ndihmuar prej saj”, ka shtuar ai.
Kryeministri Kurti ka shtuar se propaganda pseudoshkencore dhe diplomatike e “fqinjit tonë verior kanë imponuar një datë të “fillimit të historisë”, qoftë shekulli XVIII ose shekulli XIV, gjithnjë të historisë sipas tyre”.
“Aq të qetë kanë qenë nga mungesa jonë, sa në shumë vende ku jeni ka zënë vend iluzioni primitiv siç e dini edhe ju vet, se me flijimet e nevojshëm të popujve të tjerë, përfshirë shqiptarët, mund të zbutet perëndia serbe, “perëndia” në thonjëza, mëkëmbëse e perëndisë, gjithnjë në thonjëza ruse në Ballkan. As mos të na shkojë mendja se mendësia e vitit 1913 ,e thënë me fjalët e sir Edward Gray: u bë një padrejtësi, por u shmang një luftë, ka shkuar. Vendet me të cilët kemi të bëjmë kanë gjithnjë politika ekstreme, pikërisht kur jemi në horizontin e luftës, e cila edhe u rishfaq në Evropë. Pikërisht në këtë vit të cilën po e përmbyllim ngadalë. Le ta mbajmë mend pra 1913-n. Edhe pse Gray mendoi se e largoi luftën duke sakrifikuar territore të shqiptarëve, pak muaj më vonë nacionalistët serbë vranë në Sarajevë arqidukën e Austro-Hungarisë dhe Lufta e Madhe e përfshiu botën. Sakrifica nuk ishte pranuar, kundërshtarët e saj ishin vrarë”.
Kryeminsitri Kurti ka theksuar se tani kemi një masë shtetërore shumë më të lartë në shtetin dhe shoqërinë tonë, “andaj dhe nëse tregohemi të gjithë të vendosur në punën tonë të përditshme, jemi pakrahasimisht më të fortë”.
Sipas Kurtit, Serbia mund të ketë marrë shumë teknologji, mallra, industri dhe armë, po asnjëherë themelin e qytetërimit perëndimor duke përfshirë “demokracinë dhe liritë njerëzore si themeli i prodhimit, i tregtisë, i politikës dhe mënyrës së jetesës së atij qytetërimi”.
Kurti ka theksuar se gjeopolitika nuk është vetëm materiale. “Ju po e kuptoni se qeveria e shoqëria, shteti e populli beson dhe pret shumë nga ju nga gjithnjë së bashku. Ju jeni media më speciale e shtetit të Kosovës dhe e elementit të popullit tonë në botë. Ju dispononi shumë të drejta, mbi të gjitha përdorimin e aftësive tuaja. Duke qenë në një vend të huaj, me imunitetin tuaj, ju mund të takoni çdo element përbërës të gjeopolitikës dhe ekopolitikës stë vendit pritës”.
Kryeministri Kurti ka shtuar se “duhet të bëjmë betejë me detaje që të jemi në të përditshmen e tregut të ligjërimit të tyre. Ne duhet ta fusim lëndën tonë në të vërtetën e tyre”.
“Në aspektin gjeopolitik, ky kundërshtar i yni i madh i premton të gjithë perëndimorëve, por qëndron me rusët deri në fatalitet dhe luan me dyfishësinë e Kinës. Serbia nuk mund ta tradhtojë lehtë Rusinë pa pësuar një transformim rrënjësor. Sepse ajo e sheh veten si projekt të pushtimit sllav në vazhdimësinë e shekujve. Këto dy sende duhet t’ua themi me kujdes dhe me durim perëndimorëve që njohim e që i takojmë. Mjafton t’ua shpiem në mend dhe ata e kontrollojnë vetë vërtetësinë pastaj. Mjafton t’u tregojmë se ekstremet e tyre janë më larg Kosovës, dhe ata do të kuptojnë se qendra e majtë dhe e djathtë ka shumë, shumë arsye ta mbrojë Kosovën dhe kurrsesi të shpreh simpati për Serbinë. Duhet t’ua paraqesim ne argumentet kundër ekstremeve të tyre, ekstremeve në shtetet e tyre. Duhet t’iu themi se Jugosllavia e atëhershme si platformë për Serbi të Madhe, ky ish prijës i vendeve të paangazhuara, ndërtohej i tëri mbi dhunimin e shqiptarëve. Dhe t’iu japim shifra, dhe t’iu japim artikuj, dhe t’iu japim libra. E më pas t’iu themi se kjo ëndërr e tregoi se mbi ç’sakrificë ndërtohej. Andaj edhe tretja e saj prodhoi katër luftëra dhe atë masë të madhe krimi e gjenocidi”, ka njoftuar Zyra e Kryeminsitrisë.
Kurti ka thënë se duhet t’iu themi se “ata që dje ishin kriminel lufte, sot janë anëtarë kartelesh, se ndëshkimi i kriminelëve ishte përgjithësisht një flluskë.
“Nuk janë serbët të dhunuar në Kosovë nga shteti i Kosovës, por vet Oliver Ivanoviçi i vrarë nga strukturat kriminale serbe. Kriminelët e tyre të liruar para kohe po arrestohen së dyti si kriminelë kartelesh droge”.
”Ju sigurisht ndiqni mediet vizive dhe të shkruara në vendet ku shërbeni. Nuk duhet të ngurojmë të dërgojmë nota proteste kur bëhet fjalë për mashtrime në lajmet e tyre. Nëse ata shohin se ne i kundërshtojmë kur fabrikojnë lajme të rreme, ata do të na respektojnë dhe do të kërkojnë lidhje të rregullta me institucionet tona, më së pari me ju”.
Kurti ka shtuar se duhet t’ju flasin edhe për Luginën e për Sanxhakun dhe t’i tregojnë se nuk janë ata që bëjnë dhunë mbi serbët, “por Beogradi, e aq më tepër t’ju dërgojmë informacion mbi spastrimin etnik burokratik që po ndodh në Preshevë, Medvegjë e Bujanovc me zhdukjen e adresave”.
“Ne kemi kemi ardhur në qeverisje me dy zotime kryesore, me një ndryshim të madh demokratik, me zotimet para qytetarëve tanë për drejtësi dhe punësim. Në të parën po punohet për së brendshmi, e në të dytën duhet punuar edhe për së jashtmi nga ju. Pra, një diplomaci që është edhe diplomaci ekonomike. Pra, sjellje të investimeve të reja, pra punësim. Faktori numër një që pengon qytetarët të gëzojnë një ndjenjë më të lartë mirëqenie në vendin tonë është performanca ende jo mjaftueshëm të sektorit privat, që do të thotë ekonomia reale, jo ekonomi që varet nga prokurimi publik ose shitja me pakicë e mallrave të importuara”, ak thënë tutje kryeministri Kurti.
Sipas Kurtit, “gjithçka fillon me rritjen e ekonomisë reale. Kur të ketë rritje në një numër më të madh të kompanive private, dhe jo vetëm të atyre me tendenca monopolistike, do të ketë rritje të investimeve dhe punësimit me vlerë”.
“Ideja është që të lëvizim drejt organizimeve e vizitave jashtë dhe misioneve nga jashtë në Kosovë – përreth industrive dhe sektorëve, psh. eventualisht të lëvizim nga misionet investuese e tregtare të një shteti të huaj me një numër kompanisë që përfaqësojnë një numër sektorësh Në vizita të kompanive të disa shteteve, por nga një industri apo sektor i vetëm. Psh., në javën e 4-të të shtatorit mund ta organizojmë Konferencën Vjetore Tradicionale të Teknologjisë së Informacionit dhe të Komunikimit, meqë edhe ashtu tradicionalisht atë javë organizohet java e TIK-ut në Kosovë”.
Tutje Kurti ka shtuar se qëllimi është që t’i integrojnë, konsolidojnë dhe bashkërendisin përpjekjet e tyre, dhe që Kurti si Kryeministër “ta shfrytëzoj sa më shumë kohën time për t’u takuar me investitorë potencialë e eksportues me perspektivë, në mënyrë që mjedisi i të bërit biznes në Kosovë të bëhet sa më shpejtë ndër më konkurruesit në rajon dhe jo vetëm, për kokë banori”.