




Kosova është ballafaquar në arbitrazhe ndërkombëtare në gjashtë raste, ku ka qenë e përfshirë Avokatura Shtetërore. Drejtuesit e saj thonë se tri nga gjashtë rastet janë fituar, derisa për tri të tjera pritet vendimi në javët në vijim.
Fitorja e fundit ishte ajo ndaj institucionit mikrofinanciar “Iute Credit”. Kjo e fundit kishte paditur vendin për marrje të licencës.
Guvernatori Fehmi Mehmeti thotë se kjo fitore ka vërtetuar se BQK-ja ka qenë e sigurt në ligjshmërinë e vendimit të saj, por edhe për 13 tërheqjet e licencave dhe lejeve në pesë vjetët e fundit.
Me këtë fitore Kosova ka shpëtuar rreth 30 milionë euro, aq sa ka pretenduar kompania ndaj shtetit.
Në tri rastet të cilat ende janë në proces e sipër vlera e pretenduar të kompanive që kanë paditur shtetin është rreth 51 milionë euro.





Ish-avokati i shtetit, Sami Istrefi dhe ish-ministri i Tregtisë, Ismet Mulaj, kërkojnë ndëshkime për vendimet e gabuara, por edhe shpërblime për ata që marrin vendime të drejta, duke mbrojtur interesin dhe kuletën e shtetit.
Përveç arbitrazheve, janë rreth 35 mijë lëndë që avokatura shtetërore ka mbrojtur institucionet brenda vendit. Nga janari i vitit 2019, vlera e fituar nga ky institucion është rreth 22.4 milionë euro, ndërsa vlera e humbur është rreth 7.2 milionë euro.