Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri i ka dhënë një këshillë presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.
Duke e komentuar fjalimin e saj të fundit në Kuvendin e Kosovës, Tahiri ka thënë se Osmani s’duhet t’ia përmend emrin Hashim Thaçit derisa të dal nga burgu i Hagës.
Gjatë fjalimit të saj, Presidentja tha se “koha e tregtarëve të kufijve ka perënduar njëherë e përgjithmonë.”
Tahiri tha se me fjalimin e saj, ku flitet për “tregtarët e kufijve”, Presidentja e ka pasur fjalën për ish-presidentin Thaçi, që sipas tij është gjë e gabuar.
“Këshilla ime për të është që kurrë në jetë, deri sa të del Hashim Thaçi prej burgut, mos me ia përmend emrin”, ka thënë Tahiri në emisionin “DPT te Fidani”.
Ai ka thënë se idenë e shkëmbimit territorial me Serbinë, që e shtyne përpara Thaçi, është ndalur nga ish-kryeministri Ramush Haradinaj, me vendosjen e takseve.
“Hashim Thaçi ka qenë president dhe ka folur për çdo ditë për ndarjen e Kosovës. Është Ramush Haradinaj që e ka ndalur ndarjen me vendosjen e taksës”, ka deklaruar ai gjatë emisionit. /GazetaExpress