




Avokati i Popullit, Naim Qelaj, sot shprehu shqetësimin lidhur me situatën e krijuar në veri të Kosovës, si dhe tërhoqi vëmendjen e secilit autoritet që në kuadër të fushëveprimit të tij që ka përgjegjësi kushtetuese e ligjore, në mënyrë të kujdesshme të harmonizojnë të gjitha veprimet në respektimin e të drejtave dhe lirive të njeriut.
Qelaj tha se mbi bazën e informacionit që ka marrë nga mediat për arrestimin dhe ndalimin e ish-policit Dejan Pantiç, ka kërkuar informata zyrtare nga autoritetet kompetente që të sigurohet se po respektohen të drejtat që i ka çdo person i arrestuar apo i ndaluar nga policia.





“Avokati i Popullit thekson se vendosja e barrikadave në veri e pengon lëvizjen e lirë të qytetarëve, me këtë rast është detyrë e autoriteteve që sa më shpejt të gjenden mënyra për të siguruar respektimin e kësaj të drejtë”, u bë e ditur në komunikatë.
Avokati i Popullit, siç u potencua në komunikatë, vlerëson se duhet të rikthehet rendi dhe ligji në gjithë territorin e vendit, duke mundësuar realizimin e të drejtave civile si dhe mbrojtjen dhe respektimin e plotë të të drejtave dhe lirive të njeriut të garantuara më kushtetutën e Kosovës.