Serbia sot zyrtarisht i ka dorëzuar një letër KFOR-it me kërkesë për kthimin e trupave serbe në Kosovë. Forcës ndërkombëtare të instaluar në Kosovë dokumenti iu dorëzua në vendkalimin kufitar në Merdare.
KFOR, në një përgjigje për Gazetën Express, ka konfirmuar se ka pranuar një letër nga Serbia, për të cilën tha se janë duke e shqyrtuar.
“Kemi marrë një letër nga Serbia dhe aktualisht jemi duke e vlerësuar”, thuhet në përgjigje.
Por, KFOR shton se është i aftë të përmbushë detyrat e tij, duke dhënë indikacione se nuk ka vend për kthimin e trupave serbe në Kosovë.
“KFOR-i mbetet jashtëzakonisht vigjilent dhe është plotësisht në gjendje për të përmbushur mandatin e tij nga OKB”.
Pas tensioneve në veri të vendit, udhëheqësit në Serbi dolën me deklarata se në bazë të rezolutës 1244 ata mund ta kthejnë një numër trupash në Kosovë.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, mbrëmë edhe tregoi se kishin vendosur që t’a bëjnë këtë kërkesë.
Sipas Vuçiqit, për vendimin ka pasur pajtim unanim në mes të zyrtarëve në Serbi. Po ashtu, ai ka thënë se “kthimi i forcave serbe në Kosovë do të jepte efekte pozitive dhe do t’i ulte tensionet në veri”.
Megjithatë, ai ishte bërë realist dhe kishte theksuar se KFOR-i “ndoshta nuk do ta pranojë kërkesën e Serbisë”.
Pas këtyre deklaratave të krerëve serbë, i dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka deklaruar se Kosova ka garanci shumë të forta të sigurisë nga Shtetet e Bashkuara dhe se janë kategorikisht kundër kësaj.
“Ne e kundërshtojmë këtë në mënyrë kategorike. Ne e refuzojmë këtë në mënyrë kategorike. Nuk e mbështesim fare. Dhe, po ashtu, dua të them se Kosova ka garanci shumë të forta të sigurisë nga Shtetet e Bashkuara”, kishte thënë Escobar, duke shtuar se kjo garanci vjen e manifestuar me pjesëmarrjen e tyre në KFOR.