Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se marrëveshja Kosovë-Serbi për normalizim të plotë të marrëdhënieve mund të arrihet brenda disa muajve.
Sipas Kurtit, për t’u arritur kjo marrëveshje duhet përfshirje sa më e madhe e Brukselit dhe Washingtonit.
“Po qe se kemi mirëbesim dhe qëllim për marrëveshje Kosovë-Serbi, për normalizim të plotë të marrëdhënieve, unë jam i bindur që kjo arrihet brenda disa muajve”, ka deklaruar Kurti.
Kurti ka thënë se Kosova ka bërë hapa para në dialog, por jo edhe Serbia.
“Ne jemi të përkushtuar, konstruktiv, aktik, kreativ në dialog, por për marrëveshje nevojiten të dy palët dhe përderisa Kosova ka bërë para, Serbia ka bërë hapa prapa. Në njërën anë, ata dërgojnë letra e kërkesa për kthim të ushtrisë serbe në Kosovë, në anën tjetër, ata bëjnë thirrje për barrikadim të veriut, që paraqet veprm të paligjshëm në Kosovë”, ka deklaruar Kurti.
Kurti ka deklaruar se ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla është në kontakt të vazhdueshëm me KFOR-in dhe EULEX-in për heqjen e barrikadave.
“Barrikadat në veri nuk janë shprehje fuqie, por pafuqie. Ato barrikada duhet të hiqen. Ne i kemi dhënë disa kohë KFOR-it që t’i heqë. Ministri i Brendshëm është në kontakt të vazhdueshëm edhe me KFOR-in dhe me EULEX-in që të hiqen këto barrikada që nuk janë civile, por janë të grupeve kriminale të armatosura, krerët e të cilëve kanë fletë-arreste nga Republika e Kosovës dhe ndodhen në listën e zezë të Thesarit amerikan. Sa më parë që të hiqen, do të jetë më mirë për Kosovën, por edhe për qytetarët serbë”, ka thënë Kurti në një intervistë për A2CNN.
Kurti ka thënë se serbët e Kosovës nuk do të përdoren si instrument nga Beogradi për aspirata hegjemonike. Sipas kryeministrit, Beogradi nuk mund të kompensohet për humbjet e Millosheviqit.
“Serbët nuk mund të lejojnë që të përdoren si instrument nga Beogradi për aspirata hegjemonike dhe nga ana tjetër, te qeveria e Kosovës, ata kanë garancinë e të drejtave të tyre dhe veshin që dëgjon të gjitha kërkesat që ata mund të kenë. Unë nuk jam kryeministër vetëm i shqiptarëve, unë jam i të gjithë qytetarëve të republikës, pa dallim etnie, moshe, gjinie dhe feje. Por, nuk mund ta kompensojmë Beogradin për humbjet që ia ka shkaktuar Millosheviçi me politikën e tij gjenocidale. Nganjëherë dëshirojnë të kthehen para shpalljes së pavarësisë në vitin 2007, nganjëherë dëshirojnë të kthehen para çlirimit të Kosovës në vitin 1998 apo 1999. Asnjë prej këtyre nuk është e mundur. Sa më parë që të ndërgjegjësohen për këtë gjë, aq më mirë do të jetë për vetë ata mbi të gjitha. Kjo histeria në Beograd duhet të marrë fund dhe të kemi kështu një normalizim politik e shoqëror ndërmjet dy shteteve”, ka shtuar Kurti.