“Filloni ta shkruani statutin e Asociacionit, ose ua sjeIIim të gatshëm”, Maliqi e zbërthen porosinë e Escobarit

Emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, gjatë vizitës së tij në Prishtinë, ka qenë i prerë rreth formimit të asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë. Escobar thotë se SHBA-ja do të punojë për themelimin e tij dhe se kjo është çështja më e rëndësishme për amerikanët.

Publicisti Agon Maliqi ia ka bërë një zbërthim porosisë së diplomatit amerikan, rreth Asociacionit.

Sipas Maliqit, nga ato që tha Escobar, Asociacionio nuk themelohet para marrëveshjes së përgjithshme mes Kosovës dhe Serbisë, por mjafton që deri në prill të nisin diskutimet për themelimin e tij. Ai thotë se kështu, Kosova forcon pozicionin e saj negociues. Marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë, sipas planit franko-gjerman, është planifikuar të arrihet deri në fund të marsit.

Publicisti kosovar e lexon deklarimin e Escobarit si vërejtje të fundit të amerikanëve për Qeverinë e Kosovës, rreth formimit të Asociacionit. Sipas Maliqit, nga ajo që e tha diplomati amerikan, i bie që nëse Kosova nuk nis ta shkruajë statutin e Asociacionit, SHBA-ja e sjell një draft të gatshëm në prill.

“Ose filloni ta shkruani statutin e Asociacionit vetë, ose ua sjellim të gatshëm në prill duke u konsultuar me të tjerë. SHBA ofrohet të përfshihet në këtë proces. Duke i pasur parasysh qëndrimet publike, SHBA ofrohen si garantuese se statuti është brenda vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe nuk prodhohet një Republika Srpska”, ka shkruar ndër të tjera Maliqi.

Lexojeni të plotë dhe pa ndërhyrje shkrimin e publicistit:

Porosia e Eskobar zbërthehet kështu:

1) Asociacioni nuk themelohet para marrëveshjes së përgjithshme si parakusht, por deri në prill mjafton të nisin diskutimet. Kjo e forcon pozicionin negociues të Kosovës në definimin e kompetencave. Serbia nuk futet në negociata me asociacion të formuar dhe me mundësinë për të kërkuar më shumë.

2) Ose filloni ta shkruani statutin e Asociacionit vetë, ose ua sjellim të gatshëm në prill duke u konsultuar me të tjerë. SHBA ofrohet të përfshihet në këtë proces. Duke i pasur parasysh qëndrimet publike, SHBA ofrohen si garantuese se statuti është brenda vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe nuk prodhohet një Republika Srpska.

3) Ndëshkimi eventual për Kosovën nuk është, siç mund ta interpretojnë disa, rrëzimi i qeverisë. Kosovës thjesht do t’i ofrohet një draft dhe nëse ai nuk pranohet, nuk mund të ketë marrëveshje normalizimi dhe Kosova nuk mund të llogarisë në mbështetje ndërkombëtare për NATO, BE, Këshill të Evropës. Veriu ndërkohë do të mbetet kështu siç është, eventualisht pa barrikada. Me fjalë të tjera, ose do ta pranoni draftin që ua sjellim, ose mbani përgjegjësi dhe rrini në këtë gjendjen e tanishme. Nëse vendosni me refuzu, Serbia nuk do të trajtohet si penguese e marrëveshjes por, nëse ia fut ca sanksione Rusisë, edhe mund të mbështetet në agjenden e vet integruese.

Skenari në pikën 3 është ëndrra e Vuçiq.