Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi, i ka kërkuar “llogari” KFOR’it, lidhur me mos heqjen e barrikadave në veri.
Abrashi ka thënë se janë bërë disa ditë prej kur KFOR kërkoi pak kohë për heqjen e barrikadave.
Shkaku i barrikadave, Abrashi ka thënë se një qytetare e komunitetit serb ka vdekur pasi s’ka pasur mundësi të marrë tretman mjekësor.
“KFOR kërkoi pak kohë për heqjen e barrikadave ndërkohë që u bënë disa ditë. Sot si pasojë e bllokimit të rrugëve nacionale një qytetare e komunitetit serb ka ndërruar jetë vetëm pse nuk pati mundësi të marrë tretman mjekësor. Liria lëvizjes dhe e drejta për të marrë shërbimet shëndetësore janë të patjetërsueshme”, ka shkruar Abrashi.
Ndryshe, nga KFOR nuk janë deklaruar nëse do të ndërhyjnë për heqjen e barrikadave në veri ose jo, edhe pasi kanë kaluar katër ditë që nga vendosja e tyre nga serbët lokalë, mirëpo, theksojnë se janë në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in.
”KFOR vazhdon të jetë jashtëzakonisht vigjilent dhe plotësisht të aftë të implementojë mandatin e saj të OKB’së për të mundësuar një ambient të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë. Kjo përfshin patrullat e zgjeruara në veri të Kosovës, në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in”, thuhet në përgjigjen e KFOR-it.
Përpos Policisë dhe EULEX-it, për ta parandaluar eskalimin e situatës, KFOR thekson se është në kontakt me forca të sigurisë të të dy palëve, ato të Kosovës e të Serbisë.
”Komandanti i KFOR-it vazhdon të jetë në kontakt me homologët e tij, përfshirë përfaqësues të institucioneve në Kosovë dhe Organizatave të Sigurisë të Kosovës, si dhe me shefin e Forcave të Armatosura të Serbisë”, thuhet tutje.