




Ish deputetja e Kuvendit të Kosovës, Melihate Tërmkolli konsideron se shprehja e gëzimit për faktin që kryeministri Kurti nuk po arrin t’i shmanget asociacionit është shërbim direkt për Serbinë. Në një postim në Facebook, ajo ka thënë se këtë po e bëjnë ish negociatorët në bisedimet me Serbinë që e kanë pranuar marrëveshjen për asociacionin.





“Tani kanë fytyrë jo vetëm të jenë më të zëshmit në kritika por edhe të tallen me ndonjë përpjekje për të evituar ose për të “zbutur” zbatimin e vendimit më anti- Kosovë që e kanë bërë sa ishin në pushtet”, ka shkruar Tërmkolli.
Ajo ka thënë se ndonëse kryeministri Kurti i ka gabimet e veta, është i padurueshëm gëzimi i atyre që sollën “zajednicën”.
Postimi i plotë:
Gëzimi i padurueshëm i “negociatorëve”
Të shprehësh një lloj gëzimi pse Albin Kurti nuk po arrinë t’i shmanget asociacionit, është përtej perversitetit politik, është shërbim direkt për Serbinë, dhe atë shërbim i shumëfishtë.





Këtë po e bëjnë ish negociatorët në bisedimet me Serbinë, ata që e bënë dhe e pranuan marrëveshjen për asociacionin, ata që realisht ia dhanë Serbisë atë pjesë të Kosovës duke e shitur para opinionit për një OJQ, ata që e pranuan fusnotën, duke e shitur si një “fluskë bore” dhe shumë e shumë “kompromise” të tjera që opinioni ende nuk i din.
Tani kanë fytyrë jo vetëm të jenë më të zëshmit në kritika por edhe të tallen me ndonjë përpjekje për të evituar ose për të “zbutur” zbatimin e vendimit më anti- Kosovë që e kanë bërë sa ishin në pushtet.
Nuk kanë faj, pasi nuk janë aty ku duhet të ishin, të gjithë ata që e kanë dëmtuar rëndë e pakthyeshëm këtë vend.
Secili ka emër e mbiemër!
E qartë se Albin Kurti ka dështimet dhe gabimet e veta. Ka ngatërruar mjetet me qëllimet dhe po gabon në të dyja, si edhe pararendësit e ndonjëherë edhe më keq. Por është i padurueshëm gëzimi i atyre që sollën “zajednicën” dhe të cilët edhe tani janë të gatshëm ta ndihmojnë Serbinë në emër të bashkëpunimit me Amerikën.