Ish-komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Kadri Kastrati, vlerëson se Qeveria e Kosovës duhet të ndaj më shumë buxhet për ushtrinë.
“Problemi kryesor ka qenë tek buxheti që i është ndarë FSK-së gjatë këtyre katër vjetëve që nuk ka ecur aq mirë. Gjatë këtij viti e kam lavdëruar qeverinë që ka ndarë 103 milionë euro buxhet pasi është avancim për pajisje e kapacitete të FKS-së”.
“Po të ishte nga fillimi buxhet i lartë sigurisht që Ushtria e Kosovës do të ecte shumë më shpejtë sesa deri tani”, tha Kastrati.
Kastrati, në Info Magazine në Klan Kosova, në katërvjetorin e themelimit të Ushtrisë së Kosovës, vlerëson se duhet bërë më shumë veçanërisht në rritjen e pagave të ushtarakëve.
“Ushtria i ka 5000 ushtarë aktivë dhe 3000 rezervë por edhe armatimi dhe pajisjet e ndryshme kërkojnë kosto të madhe. Vitin e parë dhe të dytë nuk i është dhënë hapësirë e duhur në buxhet të mjaftuar për të ecur përpara. Për vitin e ardhshëm janë ndarë 128 milionë euro, mirëpo mendoj se janë më pak se 103 milionë që janë ndarë këtë vit pasi inflacioni, pajisjet, ushtrimet, shkollimet dhe stërvitjet kanë kosto më të lartë se vitin që do të lëmë pas. Prandaj, mendoj se buxheti i ndarë për ushtrinë është shumë i vogël”.
“Me aq sa di unë për vitin e ardhshëm nuk është paraparë rritja e pagës dhe kjo gjë është shumë keq pasi me 380 euro pagë prej një ushtari kërkohet cilësi, përgatitje, gatishmëri dhe që të sakrifikojë për atdheun dhe kjo nuk është në rregull”, tha Kastrati.
Kastrati, mes tjerash, thotë se kanë mbetur edhe gjashtë vjet deri në anëtarësimin e FSK-së në NATO, por se deri atëherë duhet të bëhet më shumë për ushtrinë në pajisje, armatime dhe infrastrukturë.