




I dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se SHBA-ja kundërshton kategorikisht kthimin e forcave serbe në Kosovë, që Serbia ka paralajmëruar se do ta kërkojë nga KFOR-i.
Ai ka thënë se Kosova ka garanci të forta sigurie nga SHBA-ja, që sipas tij, manifestohen përmes pjesëmarrjes në misionin e KFOR-it.





“Ne e kundërshtojmë këtë kategorikisht. Ne e hedhim poshtë kategorikisht. Ne nuk e mbështesim këtë fare. Unë gjithashtu dua të them se Kosova ka garanci shumë të forta sigurie nga SHBA-ja”, ka thënë Escobar.
I pyetur se cili do të ishte reagimi i SHBA-së nëse ushtria serbe futet në Kosovë, Escobar u shpreh qartë: “E para, këtë nuk e pres. E dyta, po e përsëris, Kosova ka garanci të forta sigurie nga SHBA-ja, të manifestuara përmes pjesëmarrjes së saj në KFOR”.