




Zyra e Kryeministrit ka lëshuar komunikatë për media rreth takimit të së martës, mes Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, Përfaqësuesit të Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, i shoqëruar nga Ambasadori i BE-së, Tomáš Szunyog dhe Zëvendësndihmëssekretarin e Shteteve të Bashkuara për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Gabriel Escobar, i shoqëruar nga Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier.
Zyra e Kryeministrit ka njoftuar se në takim është diskutuar për procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, hapat e mëtejmë, zhvillimet e fundit në vend dhe çështjet aktuale.





Gjithashtu, është theksuar se ka pasur dakordim se barrikadat në veri duhen hequr, pasi pengojnë lirinë e lëvizjes.
“Në takim kishte dakordim të përbashkët që duhet të hiqen barrikadat në veri, të cilat pengojnë lirinë e lëvizjes. Përmes gatishmërisë për takime dhe diskutim, Republika e Kosovës ka dëshmuar në vazhdimësi së është palë konstruktive që angazhohet për arritjen e një marrëveshje ligjërisht e ndërkombëtarisht të obligueshme për normalizimin e plotë të raporteve të ndërsjella me Serbinë me njohjen reciproke në qendër”, thuhet në komunikatë.
Ndërkaq, në komunikatën e dërguar për media theksohet se Republika e Kosovës angazhohet në vazhdimësi për arritjen e një marrëveshjeje, e cila do t’i normalizojë raportet Kosovë- Serbi.