Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se me përfaqësuesin special të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, është diskutuar me theks të veçantë gjendja në veri dhe ka shtuar se Amerika ka një fokusim të madh, gjë që sipas Haradinajt ka bërë që të arrihet qetësi në veri të vendit. Ndryshe, Haradinaj qeverisjen e Kryeministrit Albin Kurti e ka quajtur “lojë guerile” dhe ka shtuar se duhet të veprojë me amerikanët e jo kundër tyre.
“Së pari ishte shumë e mirëseardhur kjo vizitë dhe është në kohë mjaft të ndjeshme. Pjesa kryesore e bisedës i është dediku pra zhvillimeve të fundit pra gjendjes në vend me theks të veçantë edhe në veri edhe vërtetohet një angazhim serioz, një fokusim i madh i Amerikës për gjendjen në Kosovë, për gjendjen në veri, por edhe për dialogun në këtë rast për njohje ose për normalizim. Kryesisht këto ishin ato që u diskutuan sot”, u shpreh Haradinaj.
Gjersa, sipas Haradinajt tashmë është arritur një qetësi e gjendjes në veri, pasi që Amerika po e trajton seriozisht atë.
“Edhe më herët në një deklaratë të përbashkët të ambasadave në Kosovë e në Serbi u tha që kërkohet heqja e barrikadave pra ishte kërkesë urgjente hekja e barrikadave, ndërprerja e akteve të dhunës por edhe ndërprerja e retorikës nxitëse ose veprimeve nxitëse, ishte mjaft siguruese pra na siguron se Amerika seriozisht e trajton gjendjen në veri. Jam i bindur se rezultatet e këtij angazhimi veç i ndjejmë se pak është qetësu gjendja, presim që me u heq edhe barrikadat”, ka theksuar Haradinaj.
I pari i AAK-së, beson se është arritur një lloj normaliteti dhe meritat për këtë sipas tij i kanë, Përfaqësuesi special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) në Kosovë, Jeffry Hovenier dhe QUINT.
“Besoj ka fillu kthimi në normalitet, e pamë edhe prej mediave që e kishin zhvillu edhe një takim me Listën Serbe besoj që kjo është një dëshmi pra se Amerika, pra zotëri Escobar dhe ambasadori Hovenier janë aktiv dhe ashtu edhe QUINT-i, dhe jam i bindur se do të ketë përparim pra drejt normalizimit, mesiguri që nuk do të kemi më akte të dhunës dhe incidente pra nuk do të lejohen edhe do të shkohet ka kthimi i gjendjes normale, pra heqja e barrikadave, qarkullimi i lirë po edhe mbushja e vakumit institucional”, u shpreh Haradinaj.
I pyetur për zyrtarët që janë dorëhequr, Haradinaj u shpreh se ka zgjidhje pasi ka zyrtarë policorë të cilët dëshirojnë të punojnë në përputhje me ligjet e Kosovës.
“Ka zgjidhje për këto situata, nuk themi që duhet të ndodhë një kthim bllok por me siguri ka mjaft zyrtarë policor që dëshirojnë me punu në përputhje me ligjet e Kosovës, Kushtetutën e Kosovës edhe zyrtarë tjerë të Gjykatave, Prokurorisë pra duhet me u gjet një zgjidhje në mënyrë që të funksionojë rendi e ligji dhe të hapen rrugët, të hapen pikat kufitare dhe të kthehen në normalitet atje”, ka thënë Haradinaj.
Ai ka kritikuar qeverinë aktuale, duke e cilësuar si të atillë që nuk po punon për ruajten e sigurisë në vend.
“Ne i falënderojmë për angazhim, për kujdesin, për gjendjen ne kemi qenë mjaft të kujdesshëm mos me lakmu në populizëm, mos me lakmu vetëm në pak vota emocionale por me e rujt sigurinë në vend, me e rujt tërësinë në territorin, sovranitetin e Kosovës”, ka thënë Haradinaj.
Sipas Haradinajt, refuzimi i kërkesës për targat e ka çuar Kosovën në vështirësi dhe dëme të cilat sot po ndodhin.
“Sikur të kishim ndërmarrë veprime të duhura, të drejta gjendjen do ta kishim shumë ma mirë, pra sikur kryeministri të kish pranu në kohë propozimin amerikan për shtyerjen e vendimit për tabelat, e jo pasi u keqësu situata u dorëzu në mënyrën më të keqe, ka mujt në kohë me nder me arrit një marrëveshje me Amerikë në mënyrë që pastaj përgjegjësia me u bart të Serbia. Refuzimi i kësaj kërkese e ka qit Kosovën në pozitë të keqe dhe na ka vështirësu implementimin e shumë çështjeve me interes për Kosovën në veri. Mirëpo, ne nuk guxojmë me hek dorë asnjëherë nga e drejta jonë ksuhtetuese dhe nuk guxojmë me leju bandat kriminale në veri me marr kontrollin atje, mirëpo mënyra si e bëjnë këtë ka shumë rëndësi. Ju jeni në dijeni se në të kaluarën Policia e Kosovës i ka ushtru krejt detyrat e veta sikur në rastin e bllokimit të rrugëve apo raste tjera, mendoj se Kurti e ka dobësu pozicionin e Kosovës me këtë ikjen prej sugjerimeve amerikane në vështirësi, e dorëzimin pastaj pasi që është kriju një dëm i caktum”, u shpreh Haradinaj, duke shtuar se Kosova do të mund të përfitonte nëse marrëveshjet do t’i kishte pranuar më herët.
“Gjitha ato që ka mujt me i pranu në kohë e me përfitu Kosova, ky i ka pranu në versionin më të keq, më vonë pasi që ka humb Kosova, shifne situatën sot ku jemi, policët të barrikadum, të gjitha këto i ka bo në mënyrë të gabume për fat të keq për Kosovën”, ka theksuar ai.
Ndryshe, Haradinaj ka theksuar se Qeveria e Kryeministrit Albin Kurti, ka humbur vlerësimin e aleatëve, partnerëve dhe qytetarëve, ndërsa, ka theksuar se kjo qasje e qeverisë po lexohet si jo e duhur nga këto palë.
“Orientimi është që një marrëveshje me u arrit me këtë qeveri, me qeverinë e sotme mirëpo kjo qeveri është duke e humb vlerësimin e shumë partnerëve, aleatëve edhe të qytetarëve të vendit, sot është e dhimbshme në një situatë të rëndë ekonomike kur janë blloku qindra milionë të Kosovës nuk janë në ekonomi, të provohet me emocione në kurriz të Policisë së vendit me fitu vota. Pra kjo qasje e tillë po lexohet nga plotë palë si jo e duhur në këtë kohë”, ka theksuar Haradinaj.
Ndërsa, i pyetur se kush duhet t’i heqë barrikadat e vendosura në veri, Haradinaj u shpreh se KFOR-i mund t’i heqë por mund edhe të kërkojë diçka nga Kosova për t’i hequr, kjo pasi Albin Kurti nuk ka bashkëpunuar me ta.
Për ligjin për pagat, Haradinaj ka thënë se situata ekonomike është e rëndë në Kosovë dhe në gjithë botën, gjë që sipas tij mosngritja e pagave po i dëmton sektorët e ndryshëm në Kosovë.
“Kurti ka marrë paren dhe e bën peng, ky është krim ndaj ekonomisë dhe njerëzve. Sot s’ki anesteziologë, mosrritja e pagave krijon problem, mosrritja e pagave të policëve e dobëson rendin në vend”, ka thënë Haradinaj./RTV Dukagjini/