Një video ka ardhur në drejtim të redaksisë së gazetës Nacionale ku shihet Taulant Kurti, vëllai i kryeministrit të Kosovës Albin Kurtit, derisa bashkë me aktivistë tjerë të Vetëvendosjes mbledh gurë kundër “Zajednicës”.
Vetëvendosje vazhdimisht ka qenë e zëshme në sulmet e saj kundër Marrëveshjes së gushtit të vitit 2015 për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe (Zajednicën).
Megjithatë, një gjë ka qenë mjaft interesante deri tash: familja e kryeministrit Kurti nuk është përzier fort në punët politike të këtij të fundit.
Megjithatë, ky nuk duket të jetë rasti me Taulantin, që shihet i përfshirë në njërën prej protestave më radikale të Vetëvendosjes, partisë së vëllait të tij.
Vetëvendosje vazhdon të insistojë se nuk do të mbështes themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Sidoqoftë, në anën tjetër është zotuar edhe se do të zbatonte të gjitha marrëveshjet që ishin nënshkruar deri tash në Bruksel. Hera e fundit që u bë ky zotim ishte më 23 nëntor, kur u zgjidh problemi i targave që kishte krijuar tensione në veri.
Në muajin maj të këtij viti, Kurti ishte parë nga kamerat derisa e kishte takuar edhe të vëllain e tij në sheshin “Nënë Tereza” në Prishtinë. Përveç Taulantit, Kurti e ka edhe një vëlla tjetër që quhet Arianit.
E edhe problemi aktual duket i lidhur ngushtë me çështjen e Asociacionit. Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka deklaruar se zyrtarët e dorëhequr serbë do të riktheheshin në institucionet e Kosovës vetëm pasi të formohej Asociacioni.