




Filip Kajtazi, është një shqiptar nga Kosova i cili prej vitesh jeton në Amerikë, i cili gatuan byrek për klientë amerikanë, por jo vetëm. Në Euronews Albania, Kajtazi u shpreh se biznesi i tij pësoi rritje, pasi hapi faqe në rrjetet sociale, TikTok dhe Instagram, ku promovonte punën e tij.
Kajtazi nënvizoi se në fillim, klientët e tij ishin më së shumti shqiptarë, por pas promovimit të biznesit në rrjetet sociale, është shtuar edhe klientela e huaj.





“Prej covid-it më ka rënë pak puna. Gruaja me fëmijët e mi më thanë pse nuk e provon Tik Tok-un, ose Instagram, për të hapur një faqe biznesi. Thashë po, po e provoj njëherë. E hapa faqen dhe u rrit biznesi në TikTok dhe Instagram. Postimi i parë ka qenë byrek. Mu duke pak si marëzi në fillim, pastaj fillova edhe të tregoj veten.
Është një biznes i vogël, po ka shumë kalimtarë, kemi shumë shqiptarë, një popullatë të madhe. Në fillim kanë qenë vetëm shqiptarë, nuk e kanë ditur amerikanët. Kur kam hapur Instagramin dhe Tik Tok-un kam pasur shumë klientë të ndryshëm”, theksoi ai.