OSBE-ja ka mirëpritur vendimin e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, për shtyrje të zgjedhjeve të jashtëzakonshme në veri për në 23 prill të vitit të ardhshëm.
Shefi i misionit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Kosovë, Michael Davenport përmes një cicërime në Twitter tha se duhet të shfrytëzohet mundësia për t’i ulur tensionet e për t’u përqendruar në dialog.
“Mirëpres vendimin e presidentes Osmani dhe të liderëve të partive politike për të shtyrë mbajtjen e zgjedhjeve për kryetarë komune dhe ato për asambletë komunale në veri të Kosovës. Të gjithë duhet ta shfrytëzojnë këtë mundësi për të ulur tensionet dhe për t’u përqendruar në dialog”, ka thënë ai.
Vendimin për shtyrjen e zgjedhjeve e kanë mirëpritur edhe vendet e QUINT-it dhe ambasadori i BE-së në Kosovë.