Ish –presidenti serb, Boris Tadiq, ka thënë se Rezoluta 1244 nuk parashikon praninë e ushtrisë apo policisë serbe në veri apo në ndonjë vend tjetër të Kosovës, siç thonë Brnabiq dhe Petkoviq.
Tadiq, kryetar aktual i Partisë Socialdemokrate (SD) ka deklaruar për portalin serb “Vreme” se kryeministrja Ana Brnabiq dhe drejtori i të ashtuquajturës Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq po “mashtrojnë opinionin” kur flasin për mundësinë që Serbi të kthejë një numër të caktuar të forcave serbe në veri të Kosovës, siç tha Brnabiq, pra “deri në një mijë pjesëtarë të ushtrisë dhe policisë”, siç paralajmëroi Petkoviq.
Tadiq ia përkujton kryeminsitres serbe dhe Petkoviqit se Rezoluta 1244 e OKB-së, aneksi 2, pika 6 “nuk përmend ushtrinë serbe, por personelin jugosllav dhe serb. Pra, nuk bëhet fjalë për ndonjë trupë ushtarake dhe policore siç thonë Brnabiq dhe Petkoviq”, transmeton Telegrafi.
Ai thotë se teksti i pikës 6 të Rezolutës 1244 është si vijon: “Pas tërheqjes, një numër i rënë dakord i personelit jugosllav dhe serb do të lejohet të kthehet dhe të kryejë funksionet e mëposhtme: ndërlidhje me misionin civil ndërkombëtar dhe praninë ndërkombëtare të sigurisë; shënimi/pastrimi i fushave të minuar; ruajtja e pranisë në vendet e trashëgimisë kulturore serbe; ruajtja e pranisë në pikat kryesore kufitare”.
Boris Tadiq, i cili ishte ministër i Mbrojtjes në kohën kur u miratua Rezoluta 1244, thotë se në atë kohë kishte thënë se njerëzit tanë në Kosovë do të ishin “pëllumba balte” dhe shpjegon pse mendonte se nuk e kishin vend atje.
“Në një bisedë me komandantin e KFOR-it, thashë se do të ishte e tmerrshme të pajtohesha që njerëzit tanë të pastrojnë fushat e minuara, ose që ata të jenë në pjesë të Kosovës ku dominon popullata shqiptare, si p.sh. në kufirin me Shqipërinë dhe Maqedonisë, dhe përreth manastireve. Me përjashtim të Graçanicës, përreth manastireve tona të tjera pothuajse nuk ka popullatë serbe”, shpjegon Boris Tadiq dhe potencon se “në Deçan jeton një familje serbe”.
“Nuk kam qenë për dërgimin e dikujt në një zonë me popullsi që është armiqësore ndaj Serbisë”.
“Sa i përket pikës së parë, dërgimi i personelit si ndërlidhës me misionin civil ndërkombëtar dhe praninë ndërkombëtare të sigurisë, këta do të ishin oficerë ndërlidhës. Dhe këta nuk janë trupat apo forcat ushtarake për të cilat Brnabiq dhe Petkoviq u flasin njerëzve”, vlerëson Tadiq.
“Me pak fjalë, Rezoluta 1244 nuk parasheh praninë e ushtrisë apo policisë serbe në veri apo në ndonjë vend tjetër të Kosovës”, përfundon Boris Tadiq.
Serbia ka vazhduar me avazin e vjetër të kërcënimeve e shantazheve ndaj Kosovës dhe sigurisë në rajon.
Deri tash kërcënimet kanë qenë kryesisht me deklarata politike e duke lobuar kundër ç’njohjeve të Kosovës, por që nga dje shteti i Serbisë ka kërcënuar edhe ushtarakisht.
Petar Petkoviq, shef i zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, mes tjerash dje ka deklaruar se shteti i tij do të shqyrtojë dërgimin e 1.000 forcave të saj të sigurisë në Kosovë.
Edhe kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq, deklaroi se Serbia synon të kërkojë kthimin e një numri të caktuar trupash në Kosovë.
Gjatë një deklarimi për media nga aeroporti “Nikola Telsa” në Beograd, Bërnabiq tha se veprimet e homologut të saj kosovar, Albin Kurti, “na sollën në prag të konfliktit të armatosur”.
“Në këto rrethana, Serbia ka të drejtën dhe synimin, sipas rezolutës 1244, të kthejë një numër të caktuar trupash në Kosovë”, theksoi Brnabiq.
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka reaguar sot ndaj kërcënimeve të politikanëve të Serbisë ndaj Kosovës, të cilët kanë thënë se do të shqyrtojnë dërgimin e 1.000 forcave të sigurisë në Kosovë.
Osmani në një posotim në Facebook shkruan se kërcënimi i hapur për agresion policor e ushtarak nga ana e Serbisë dëshmon se në atë shtet vazhdon mendësia hegjemoniste, ndërsa shtoi se në territorin e Republikës së Kosovës kurrë më nuk do të ketë policë dhe ushtarë të Serbisë.