Me 68 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim është miratuar në lexim të parë projektligji për pagat në sektorin publik. Pozitë e opozitë kanë qenë pro projektligjit.
Por, çfarë koeficienti të pagave do të ketë Presidentja, Kryeministri, mjekët e policët?
Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla ka treguar Projektligji i Pagave do ta adresojë problematikën e dallimit shumë të madh në mes të pagës më të lartë dhe asaj më të ulët. Sipas këtij projektligji, ky dallim do ta sjellë atë nga një raport 20 herë në vetëm 4.78 herë.
Ai thotë se dallimi në mes të koeficientit më të lartë që është Presidentja, Komandantja supreme dhe ushtarit të thjeshtë është vetëm 3.21 herë ndërsa dallimi i koeficientit të Presidentes dhe mjekut specializant është vetëm 1.5 herë.
“Në Policinë e Kosovës dallimi në mes të pagës më të lartë dhe asaj më të ultë është vetëm 3.22 herë, pra Drejtori I Përgjithshëm I Policisë e ka pagën vetëm 3.22 herë më të lartë sesa polici I ri, ndërsa në raport me kreun e shtetit ai dallim është vetëm 4 herë”, tha Sveçla në fjalimin e tij në Kuvendin e Kosovës.