Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka thënë se Unioni dhe shtetet anëtare janë të shqetësuara për situatën në veri të Kosovës, duke bërë thirrje për qetësim të situatës.
Në një konferencë për media, Stano tha se e dënojnë çdo akt dhune.
“BE-ja dhe shtetet anëtare janë duke e vëzhguar situatën nga afër dhe BE-ja është e shqetësuar për situatën e sigurisë në veri, veçanërisht. Dhe sigurisht që ne dënojmë çdo incident të dhunshëm që ndodh atje. BE-ja dhe vendet anëtare bëjnë thirrje për përgjegjësi dhe shtensionim [situatës], sepse kjo, para së gjithash, është e nevojshme për mirëqenien e popullatës lokale”, tha Stano.
Ai tha se EULEX dhe KFOR janë në rolet e tyre përkatëse, si reagues të dytë dhe të tretë, duke monitoruar dhe patrulluar situatën.
Stano tha se fokusi tani duhet të jetë në normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, sepse, sipas tij, kjo është thelbësore për rrugën europiane të të dyja vendeve dhe gjithashtu për të qetësuar situatën.
Zëdhënësi i BE-së u pyet nëse BE-ja do të ndjekë shembullin e Britanisë dhe të ndërmarrë masa ndëshkuese ndaj nënkryetarit të Listës Serbe, Milan Radoiçiqm Zvonko Vesellinoviqin dhe Sllobodan Teshiqin, të cilët sot u futën në listën e zezë të Britanisë.
“Ne s’kemi listë të zezë, por për shembull kemi listën e sanksioneve. Dhe kur jemi te sanksionet, ju e dini që sanksionet janë dorë të shteteve anëtare, është diçka që ne s’e komentojmë kurrë në publik për sa i përket diskutimit, sugjerimeve, propozimeve apo mundësive. Pra, është diçka që s’mund ta komentoj”.
Megjithatë, Stano tha se e dinë mirë se kush çfarë bën dhe nëse duhet dikush të sanksionohet, shtetet anëtare mund të diskutojnë dhe të dalin me vendim.
“Por, unë mund vetëm të përsëris që BE-ja dhe shtetet anëtare, të cilat janë të ngarkuara për të ndërmarrë apo vendosur ndonjë masë kur vjen puna te çështjet që ju sapo përmendet, janë duke e përcjellë situatën me shumë vëmendje dhe ne e dimë shumë mirë kush çfarë bën dhe nëse ka konsensus se duhet bërë diçka kundër personave të caktuar atëherë shtetet anëtare do të diskutojnë dhe do të vendosin”.