Deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj ka thënë se ka informacione që Presidentja Vjosa Osmani tanimë e ka marrë vendimin që t’i shtyjë zgjedhjet në katër komunat e veriut për shkak të gjendjes së sigurisë.
Duke folur në Pressing të T7, Qalaj ka thënë presidentja është duke e paketuar vendimin që ta arsyetojë para qytetarëve.
“Problemin tani e kemi që është një moment shumë i rëndësishëm, që lidhet me zgjedhjet. Jam i sigurt 100% që zgjedhjet do të shtyhen, madje me informatat që i kam unë, e di që presidentja e ka marrë vendimin për shtyrjen e zgjedhjeve, mirëpo këtë vendim s’e dimë se si do ta paketojë dhe ta arsyetojë”, ka thënë ai në Pressing.
Sipas Qalajt, veprimet e fundit policore janë prekje e pulsit për ta krijuar raportin arsyetues që presidentja t’i shtyjë zgjedhjet.
“Edhe aksioni i para dy ditëve, policia bashkë me KQZ-në që shkuan në Zubin Potok dhe provuan të shkojnë në Mitrovicën veriore, për mua ishte një prekje pulsi se si do të reagojnë bandat kriminale atje, dhe ta bëjnë pastaj një vlerësim për presidenten e vendit”, ka deklaruar ai.
Qalaj ka thënë se dërgimi i forcave policore në veri sonte është i vonuar.