




Zgjedhje të jashtëzakonshme pritet të mbahen më 18 dhjetor në Veri të Kosovës, konkretisht në katër komunat; Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.
Lista Srpska, parti e udhëhequr nga Goran Rakiq, nuk do të marrë pjesë në këto zgjedhje, mirëpo pjesë e tyre do të jetë një qytetare serbe.
Bëhet fjalë për Sladjana Pantovic, e cila do të garojë si kandidate e pavarur për kryetare të Zveçanit.





Në tërheqjen e sotme të shortit, për renditjen e partive politike, Pantoviqit iu zyrtarizuar numrin 114 nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Kjo kandidate, ditë më parë, kishte thënë se do të shkojë në zgjedhje pa marrë parasysh vendimin e Listës Serbe. Sipas saj, kjo parti nuk i përfaqëson interesat e popullit serb por interesa të caktuara.
Kujtojmë se partia më e madhe e serbëve në Kosovë, Lista Serbe, ka deklaruar se nuk do të jetë pjesëmarrëse në zgjedhjet e jashtëzakonshme.





“Marrë parasysh vendimin e Prishtinës për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme lokale në veri të Kosovës, duam të informojmë opinionin se Lista Serbe nuk do të marrë pjesë në këto zgjedhje dhe as qytetarët që e mbështesin partinë tonë, nga të cilët mbi 95 për qind janë në këto zona”, thuhet në njoftimin e këtij subjekti politik.
Kryetarët e katër komunave në të cilat presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani i shpalli zgjedhjet më 18 dhjetor, pas konsultimit me subjekteve politike dhe institucionet, kanë qenë nga subjekti politik serb Lista Serbe.