Ish-kryediplomati i Kosovës, Enver Hoxhaj, në një prononcim për mediumin shqiptar “EuroNews”, ka thënë se situata në veri të Kosovës është në pikën më të ulët në 15 vite.
“Situata në veri të Kosovës është në pikën më të ulët që ka qenë në këto 15 vite nga shpallja e pavarësisë me që nga 5 nëntori kryetarët e bashkive, anëtarët e asambleve komunale, stacionet policore dhe policët nga stacionet policore, institucionet gjyqësore, doganat, komisionet zgjedhore janë tërheq nga institucionet e shtetit të Kosovës dhe ky është fillimi më i vështirë që ka pasur Kosova që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, prandaj në pikëpamjen time do të duhej të mendohej një qasje më e gjerë politike se si ta re-integrojmë veriun në institucionet e Kosovës dhe këtu duhet të ketë koordinim të plotë edhe me ndërkombëtarët.” – tha Hoxhaj.
Tutje, ai tha se për të dalë nga kjo situatë nevojitet një politikë e zgjuar dhe e koordinuar mirë me partnerët ndërkombëtar se si të dilet nga një situatë e tillë.
“Mendoj që duhet koordinim plotë me ShBA-të dhe Evropën dhe duhet një politikë e zgjuar se si edhe të mbahen edhe të organizohen zgjedhje edhe të rikthehen policët aty se ku kanë qenë para 5 nëntorit, edhe të kthehen gjykatësit dhe nuk mendoj që vetëm organizimi i zgjedhjeve i cili do të duhej të ndodhë i cili do të jetë i pandalshëm, mund ta tejkaloj situatën në veri të vendit”, tha ish-ministri i Jashtëm.
Hoxha tha po ashtu se ideja e ndarjes së Kosovës ka qenë çdoherë në tryezën e Beogradit
“Qëllimi i Serbisë ka qenë që të krijojë në veri një realitet komplet të ri politik edhe me pritjen që ta shtyjë idenë e ndarjes së Kosovës me që plani serb për ta ndarë Kosovën asnjëherë nuk është hequr nga tavolina në Beograd.” – tha ai.