




Ndërkombëtarët insistojnë në zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, përfshirë atë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi foli për një fjali në deklaratën e kryediplomatit europian, Josep Borrell, pas arritjes së marrëveshjes së fundit në nëntor ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Aty u tha se “Me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian, palët janë pajtuar me masat për të evituar eskalimet dhe për t’u koncentruar në çështje urgjente, në propozimin për normalizimin e marrëdhënieve, siç është prezantuar këtë shtator nga BE-ja dhe i mbështetur nga Franca dhe Gjermania”. Kjo u interpretua si zotim i Kosovës për themelimin e Asociacionit.





Bislimi tha në Komisionin për Punë të Jashtme se kjo “është gjuhë standarde e Bashkimit Europian”, ndërsa paraprakisht citoi në anglisht pjesë të deklaratë.
“Është gjuhë standarde e Bashkimit Europian. Është e pakuptueshme – edhe për secilin prej zyrtarëve në Bruksel – që në çdo diskutim me thënë ‘kryeministër, a ke me e bë Asociacionin’”, tha Bislimi.
Sipas zëvendëskryeministrit, çështja e Asociacionit shtrohet qëllimshëm dhe i nxitë ndërkombëtarët të reagojnë. Të tillë e konsideroi edhe pyetjen e deputetes Ariana Musliu-Shoshit për këtë çështje.
“Më së paku ka të bëjë me Asociacionin. E ka për qëllim që kryeministrin me detyru me thënë që nuk e bëj, e pastaj me dalë një deklarim prej Brukselit që ‘ti duhesh me e zbatu marrëveshjen’. Është e pakuptueshme që vazhdimisht me e rritë pazarin e Serbisë në marrëveshje e me e ulë atë të Kosovës”, tha Bislimi.