Grenell deklarohet sërish për Kurtin: Ai nuk i shërben popullit, ka refuzuar çdo ide të amerikanëve

Ish-emisari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell ka thënë se negociatat mes dy vendeve janë duke u shpërbërë.

Në një intervistë për Radiotelevizionin Serb, ka kritikuar edhe qasjen e Bashkimit Evropian ndaj dialogut, duke përmendur këtu edhe angazhimin e Departamentit të Shtetit.

“Kur evropianët janë në krye, ti merr shumë fjalë, por nuk do të marrësh shumë vepra”, ka thënë ai.

Mes tjerash, Grenell ka pasur disa fjalë edhe për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti duke i theksuar edhe negociatat që kishte me të.

“Kurti nuk është ndihmues në këtë situatë. Kam negociuar me të dhe ai është dikush që nuk e ka pëlqyer me të vërtetë ndonjë ide. Ai ka refuzuar çdo ide që amerikanët kanë vënë përpara”, ka deklaruar ai.

Sipas ish-emisarit amerikan “Kryeministri Kurti nuk po i shërben popullit, nuk po e ndihmon këtë situatë”.

“Kurti vetëm po thotë ‘jo’, ai është ‘zotëri Jo’. Nëse shikon pas te idetë e Bill Clitnon, Barack Obama, ai ka refuzuar çdo ide që amerikanët e kanë vendosur përpara. Sistemi amerikan po e sheh këtë, ata më në fund po arrijnë në përfundimin se në të dyja anët e ishullit, si të thuash, Kurti nuk po u vjen në ndihmë amerikanëve”, tha ish-diplomati amerikan.