Komentatori politik, Adrian Çollaku ka thënë se procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën është i ndërlidhur me atë të dialogut me Serbinë, raporton Gazeta10.
Kjo sipas tij po vërehet nga vendimi i ambasadorëvë të shteteve anëtare të BE-së, të cilët të mërkurën i dhanë dritën jeshile liberalizimit të vizave.
Në emisionin Politiko në Kanal10 me Kushtrim Sadikun ai ka thënë se ky vendim erdhi vetëm pas arritjes së marrëveshjes për targat me Serbinë.
Ndërsa, Çollaku tha se kryeministri Albin Kurti, gjatë ditës ka dhënë sinjale se në muajin mars të vitit të ardhshëm do të arrihet marrëveshja me shtetin serb, që sipas tij, si rrjedhojë serbët do të formojnë asociacionin, e Kosova do të marrë vizat.
“Shpesh kemi ngrit dilema se mund të jenë të ndërlidhura dhe po del ashtu. Ne e pam para disa ditësh, nga Ministria e Jashtme e Çekisë e konfirmuan se për shkak të çështjes së targave, e kanë tërhequr nga rendi i ditës. Shpresoj që liberalizimi do të ndodhë për faktin se zoti Kurti sot e dha një sinjal se në mars përfundon edhe marrëveshja. Arrihet marrëveshja, serbët e marrin Asociacionin, ne i marrim vizat”, ka shtuar ai.