Ish-ministri i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni, ka komentuar deklaratën e fundit të presidentes Osmani, deklaratë kjo goditëse ndaj Josep Borrell, kryediplomatit evropian.
Hyseni në një prononcim dhënë Tëvë1 tha se deklarata e mbrëmshme e Osmanit është e njëjtë me atë të Millosheviqit.
Ai foli më shumë rreth kësaj çështjeje, duke thënë se për bazë po e merr faktin se Millosheviqi e etiketonte krejt botën si anti-serbe, veç pse e ndihmonte Kosovën.
“Edhe Millosheviqi e quante krejt botën armiq të Serbisë atëherë kur bota neve na ndihmonte, edhe ata e quanin krejt botën, krejt bota janë armiq të Serbisë. Edhe Vjosa Osmani dje tha se krejt bota janë armiq të Kosovës dhe po ia mbajnë anën Serbisë. Po kjo nuk është e vërtetë fare”.
Çka tha Osmani?
Ajo akuzoi Borrellin për njëanshmëri, ndërsa tha se sikur spanjolli t’i respektonte parimet bazike të neutralitetit do t’ia përmendte Serbisë së paku disa nga marrëveshjet e shkelura të Brukselit.
“Rregulli i parë i secilit proces ndërmjetësues është paanshmëria. Ajo që pamë sot nga z. Borrell ishte njëanshmëri e shpërfaqur haptazi, akomodim i agresorit dhe prezantim i një realiteti tërësisht të shtrembëruar. Sikur Borrell t’i respektonte parimet bazike të neutralitetit, do t’ia përmendte Serbisë, së paku disa nga këto marrëveshje të shkelura të Brukselit, në vend se ta akuzonte Kosovën”, duke postuar më pas edhe marrëveshjet e Brukselit që nuk u respektuan nga Serbia.