Quni: Nëse reagon KFOR-i në veri, politikisht kthehemi 20 vjet prapa

Anëtari i Komisionit Parlamentar për Siguri, Anton Quni thotë se veprimet që po ndërmirren në implementimin e vendimit për targa nuk janë të koordinuara me aleatët ndërkombëtarë.

Ish-ministri i Mbrojtjes tha se Kosova ende nuk ka kapacitet që ta shtrijë implementimin e Kushtetutës në çdo cep të vendit.

“Fatkeqësisht po ndodhë që veprimet që po ndërrmirren nuk janë mirë të bashkëkoordinuara apo mund të themi s’janë fare të koordinuara me SHBA, partnerët tanë autoritetet e BE-së. Kurse ne ende nuk i kemi kapacitet që me imponu, edhe me detyru që në çdo cep të Kosovës të vlejnë Kushtetua e Kosovës, ligjet e të gjitha ato themi normat që vlejnë për shumicën e qytetarëve të cilat po respektohen në këtë situatë nga shqiptarët e Kosovës”, tha ai.

Sipas deputetit të LDK-së, nuk duhet të vihet në një situatë që në veri të vendit të reagojë KFOR-i, për shkak se mund të ketë kthim prapa në të gjitha proceset politike ku në avantazh ishte Kosova.

“Ne nuk mundemi me pritë që KFOR-i do të angazhohet në verifikimin e automjeteve janë apo s’janë të regjistruar etj. Dihet mandati i tyre dhe nuk do duhej të vinte në situatë që KFOR-i të reagojë. Nëse ne e biem KFOR në këtë situatë jemi të bindur që proceset politike që ishin në avantazh tonin do të degradohen po rikthehemi 20 vite mbrapa”, shtoi ai në emisionin “Respublika” në tëvë1,

Madje, ish-ministri i Mbrojtjes thekson se nëse vihet situata që KFOR të reagojë, atëherë do të krijohet nga ta një ndarje deri në arritjen e një marrëveshje politike.

“Nëse reagon KFOR do të reagon në një situatë kur e vërejnë se tensionet ndëretnike kanë arritë nivelin që munden me u shndërru në konlifkt në këto situata vendosin vijën ndarëse kjo dmth që t’i distancojë palët andej këndej. Prandaj po e theksoj që nuk do të ishte mirë ta sjellim KFOR-in në situata të tilla se nëse reagojnë ato reagojnë palët që janë në konflikt mes vete t’i mbajnë në distancë sa më të largët derisa të arrihet një marrëveshje politike”, tha ai./teve1.info/