Analisti politik, Ilir Ibrahimi, ka thënë se kërkesa e ShBA-së që Kosova ta shtyjë për 48 orë masën e vendosjes së gjobave në mënyrë që të gjendet një zgjidhje, nuk nënkupton që pas 48 orëve domosdo do të ketë një zgjidhje.
Ai tha se kërkesa e Amerikës për ta shtyrë afatin e gjobave për 48 orë ka ardhur për t’i lënë një hapësirë ndonjë zgjidhjeje, dhe se sipas tij, kjo nuk është mënyra se si ndërtohen partneritetet.
“Unë këtu s’po shoh strategji. Unë këto po shoh një vendimmarrje ‘ad-hoc’, ku vendimet e mëdha merren përmes Twitter dhe e kemi dëgjuar kryeministrin sot ku tha se ‘unë s’merrem me targa, por merret ministri dhe policia’”, është shprehur Ibrahimi në Klan Kosova.
Tutje, ai tha se Kurti sot e pranoi që targat janë një çështje teknike dhe se sipas tij, nuk ka pse kryeministri i vendit ta vendosë këtë çështje aq lartë sa ta pengojë dialogun.
“Në momentin që është vendosur si masë, është ditur që kjo do të shfrytëzohet nga Serbia për ta eskivuar dialogun”, është shprehur Ibrahimi.