Pas përfundimit të takimit në Bruksel mes Kosovës e Serbisë, kryeministri i vendit Albin Kurti, gishtin e drejtoi nga përfaqësuesi i BE-së Josep Borrell, për të cilin tha se hoqi dorë nga marrëveshja e marsit të 2023-ës.
Pas tij, reagoi edhe presidentja Vjosa Osmani, e cila qasjen e Borrellit e quajti të njëanshme.
Por këto deklarime të Osmanit, ish-ministrit të Jashtëm, Skender Hyseni po i përngjajnë me ato të liderit komunist Enver Hoxha e kryekriminelit Sllobodan Millosheviq.
“Edhe Millosheviqi e quante krejt botën armiq të Serbisë atëherë kur bota neve na ndihmonte, edhe ata e quanin krejt botën, krejt bota janë armiq të Serbisë. Edhe Vjosa Osmani dje tha se krejt bota janë armiq të Kosovës dhe po ia mbajnë anën Serbisë. Po kjo nuk është e vërtetë fare”, u shpreh Hyseni.
Pranimin e kërkesës së ShBA-së për shtyrje 48-orëshe të vendimit të gjobitjes për targa, Hyseni e sheh si hap pozitiv, por që do të sjellë pasoja për Kurtin.
“Mënyra qysh është tërheq tregon më së miri se Albin Kurti nuk ka konsistencë politike që e mban as dy ditë se jo dy muaj. Kjo është politikë shkatërrimtare dhe tash e tutje unë ju siguroj që Albin Kurtin nuk do ta merr seriozisht askush në botë”, shtoi ai për Tëvë1.
Edhe pse pajtohet që vendimi për targa është i ligjshëm, Hyseni thotë se para ligjshmërisë në këtë rast vijnë elemente të tjera.
“Nëse ligjshmëria shkakton tension dhe përshkallëzon dhe e sjell situatën te lufta e përshkallëzimi, nuk duhet të zbatohet hiq….. Nëse don me zbatue ligj, pse s’po e zbaton ligjin edhe te Manastiri i Deçanit” tha ai.
Hyseni shton se Kurti për arritjen e qëllimeve të veta nuk zgjedh mjet, madje edhe nëse kjo nënkupton që duhet të vdesë dikush.
Skënder Hyseni në kohën e Qeverisë Hoti ishte koordinator për dialogun me Serbinë.