Diskutimi tetëorësh pa asnjë rezultat gjatë të hënës në Bruksel i shqetësoi ndërkombëtarët. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se nuk do të takohej fare me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, po ta dinte se do të flisnin vetëm për targat. Për sjelljen e Kurtit, Borrell tha se do t’u tregonte shteteve anëtare. “Kjo dërgon një sinjal negativ politik” tha spanjolli Borell. Shtete anëtare sot e hoqën nga rendi i ditës çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën.
Gazeta Express
Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave. Kjo është konstatuar disa herë dhe ky është rasti kur përfaqësuesit e Bashkimit Europian shpesh shprehin keqardhje për njerëzit e këtij vendi.
Çështja e liberalizimit të vizave për kosovarët, për arsye politike u hoq nga rendi i ditës në takimin e sotëm të ambasadorëve të vendeve anëtare të BE-së. BE të martën dha sinjale se saga e kosovarëve për vizat mund të merrte fund pasi shtetet janë afër kompromisit që vizat të hiqen nga 1 janari i vitit 2024. Por, Presidenca çeke i tha Expressit se me këtë temë do të merren pas disa javësh.
“Për shkak të zhvillimeve politike në veri të Kosovës, nuk është e përshtatshme ta kemi këtë pikë në agjendën e Coreper-it ”, thuhet në një përgjigje të presidencës çeke të BE-së për Express.
Ky ‘vendim’ për ta hequr çështjen e liberalizimit të vizave nga rendi i ditës erdhi pas dështimit për arritjen e një marrëveshjeje mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq për targat e automjeteve të lëshuara nga Serbia për banorët e veriut.
Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell e bëri përgjegjës kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, pasi tha se ai nuk e pranoi një propozim të tij për ta zgjidhur problemin e targave të automjeteve në tavolinë përballë presidentit serb, Aleksandar Vuçiq të hënën në Bruksel.
Pas tetë orë diskutimesh, Borrell njoftoi se s’u arrit ndonjë marrëveshje dhe shtoi se kjo po linte “vakum shumë të rrezikshëm sigurie”.
“Për hir të transparencës, ne parashtruam një propozim që mund ta shmangte këtë situatë të rrezikshme. Presidenti Vuçiq e pranoi, por për fat të keq kryeministri Kurti nuk e pranoi”, ka thënë Borrell.
Propozimi i BE-së që Kosova të mos shqiptojë gjoba për shoferët që mbajnë targa të Serbisë në automjetet e tyre dhe Serbia të mos lëshojë më targa të reja, megjithatë do të zbatohet deri të enjten në mëngjes. Në orën 08:00 të ditës së nesërme skadon afati i shtyrjes së gjobave, të cilin e kërkoi SHBA-ja dhe për të cilin u pajtua Qeveria e Kosovës.
Borrelli u duk paksa nervoz duke parlajmëruar se do t’i njoftonte shtetet anëtare për sjelljen “jokonstruktive”.
“Ne do t’i informojmë shtetet anëtare, do t’i informojmë kolegët e mi, ministrat për Punë të Jashtme dhe partnerët tanë për sjelljen jokonstruktive të palëve të dhe për mungesën e respektit ndaj obligimeve ligjore ndërkombëtare dhe më duhet ta them këtë, veçanërisht për Kosovën”. E di se kjo çon një sinjal politik negativ , ka thënë Borrell.
Kurti tha se Borrell anoi kah Serbia, ndërsa foli për një afat të përcaktuar nga BE-ja për arritjen e një marrëveshjeje përtej targave. Sipas tij, në ftesën për takimin e nivelit të lartë, BE-ja kishte shkruar se bisedimet do të përfundonin deri në mars 2023. Pa këtë fjali, Kurti tha se s’do të nisej fare për në Bruksel.
Kryeministri vazhdon ta konsiderojë të papranueshëm propozimin europian “nëse nuk shoqërohet me dakordimin që me urgjencë të angazhohemi për marrëveshje finale për normalizim të marrëdhënieve”. Nga Unioni të martën nuk u përgjigjen qartë nëse propozimi i tyre do të ndryshojë gjatë këtyre orëve që kanë mbetur, por thanë se Borrell i kishte paraqitur dy propozime në takim.