




Përfaqësuesi i “Partisë së Pijanecëve të Kosovës”, Arbër Rama, me sarkazëm ka komentuar ndalimin e përdorimit të birrës gjatë Kampionatit Botëror “Katar 2022”.
Ai tha se si “parti”, kanë reaguar menjëherë dhe se “e kemi tërhequr përfaqësuesin tonë diplomatik nga Katari dhe e kemi kthyer për Kosovë”.





“Vendimi për përdorimin e birrës ka qenë skandaloz, me shumë respektin në të cilin mbahet Kampionati Botëror, por gërshëtimi i kulturave nuk duhet të ndikojë në ndaljen e përdorimit të birrës në stadium, pasi të gjithë tifozët e kombëtareve aty jetojnë për atë frymën e 90-minutëshit”, është shprehur Rama në emisionin “Botërori Special” në Klan Kosova.





Tutje, ai komentoi edhe një gjest të tifozit të Ekuadorit, që pas golit të shënuar nga kjo kombëtare bënte me shenjë të parave duke provokuar tifozët e Katarit.
“Shumë ma lehtë do të kishte kaluar sepse s’do të kishte kohë ta përmende këtë se kinse Katari e ka paguar ndeshjen ndaj Ekuadorit, sepse do ta kishte birrën në dorë. As s’do ta kishte nervozuar këtë sheikun mbrapa, atë tifozin e Katarit, të gjithë do të kishin qenë më të lumtur”, është shprehur Rama, njofton Klankosova.tv.