Profesori universitar, Milazim Krasniqi, përmes një postimi në facebook ka komentuar takimin e sotëm në Bruksel në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, të cilët dështuan që të arrijnë marrëveshje për targat.
Sipas Krasniqit, qeveria Kurti ka rënë në grackën e Borellit.
“Dështimi mund të jetë i programuar, për ta afruar Serbinë me BE-në në sfondin e kërkesës që Serbia të shkëputet sa më shumë nga influenca ruse. Pra, si një favor për të. Por, një qeveri serioze e Kosovës, do të duhej ta kalkulonte edhe atë skenar si mundësi e të adoptonte politika që e pamundësojnë një skenar të atillë. Nëse ai ka qenë skenari i Borellit, qeveria e Kosovës ka rënë në grackë. Tash është e fajësuar për dështimin”, shkruan ndër tjerash Krasniqi.
Më tej, ai thotë se dështimi i arritjes së një marrëveshje sot në Bruksel, prodhon dy mundësi për Kosovën.
“Dështimi i sotëm në Bruksel dhe fajësimi nga ana e Borrelit për Kosovën, mund të prodhojë njërën nga këto dy mundësi, e para, konfliktin civil në veri ndërmjet qeverisë sonë dhe serbëve lokalë, e dyta, krizën e qeverisë sonë. Kriza e veriut nuk e prekë askënd tjetër, përveç Kosovën”, shkruan profesor Milazim Krasniqi.
Postimi i plotë:
DISA OBSERVIME PËR DËSHTIMIN E SOTËM NË BRUKSEL
tamtameve pseudopatriotike e ideologjike, po i them disa fjalë për dështimin e sotëm në Bruksel, konsekuencat e mundshme të këtij dështimi dhe zgjidhjet që janë ende në dispozicion.
1. Dështimi mund të jetë i programuar, për ta afruar Serbinë me BE-në në sfondin e kërkesës që Serbia të shkëputet sa më shumë nga influenca ruse. Pra, si një favor për të. Por, një qeveri serioze e Kosovës, do të duhej ta kalkulonte edhe atë skenar si mundësi e të adoptonte politika që e pamundësojnë një skenar të atillë. Nëse ai ka qenë skenari I Borellit, qeveria e Kosovës ka rënë në grackë. Tash është e fajësuar për dështimin.
2. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se ka synuar të lidhë normalizimin dhe afatizimin e tij me targat. Duket qëndrim logjik, por vetë Kurti e ka imponuar si të ndarë problemin e targave. Ai me problemin e targave e ka minuar procesin e normalizimit. Si pasojë serbët braktisën institucionet dhe tash integrimi i tyre është kthyer në pikën zero. Ky është një dështim i rëndë i qeverisë Kurti.
3. Harxhimi i gjitha asaj energjie për një problem teknik-administrativ ka qenë gabim që nga fillimi. Po të dëgjohej këshilla e SHBA-së që kjo çështje të shtyhej për dhjetë muaj, do të mund të ecte përpara procesi i negociatave për normalizimin e raporteve në bazë të projektit franko-gjerman ose evropiano-amerikan. Por tash edhe ai proces tashmë është i minuar.
4. Dalja e serbëve nga institucionet e ka krijuar klimën psikologjike e politike që në veri të fuqizohen organizatat terroriste si ato të dikurshmet “Narodna Odbrana” dhe “Crna ruka”, të njohura për terror e dhunë edhe ndaj serbëve, për t’ua faturuar fajin shqiptarëve. Një kryeministër i Kosovës, që do ta njihte historinë serbe, fanatizmin iracional serb për Kosovën, do të shmangte nxitjen e impulseve dhe organizimeve të tilla. Përkundrazi, qeveria Kurti u ka shërbyer si oksigjen organizimeve të tilla.
5. Dështimi i sotëm në Bruksel dhe fajësimi nga ana e Borrelit për Kosovën, mund të prodhojë njërën nga këto dy mundësi, e para, konfliktin civil në veri ndërmjet qeverisë sonë dhe serbëve lokalë, e dyta, krizën e qeverisë sonë. Kriza e veriut nuk e prekë askënd tjetër, përveç Kosovën. Madje as Serbinë direkt, sepse ajo nuk mund të ndërhyjë në Kosovë. Kriza nuk e prekë as shtetet e NATO-s, Malin e Zi, Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut. Nëse Kurti llogaritë të fusë në kurth NATO-n e ka krejt gabim, sepse nuk mundet. Prandaj kriza mund të dërrmojë vetëm Kosovën si shtet, duke e vu në pikëpyetje ekzistencën e saj. Saktë ashtu si ka synim Serbia.
6. Kurti duhet të reflektojë e të dëgjojë aleatët tanë strategjikë, sa ka edhe pak kohë. Dorëheqja nuk është kurrfarë opsioni, sepse vetëm sa do ta dëmtonte Kosovën edhe më shumë, me rigjallërimin e konflikteve të brendshme partiake-politike, sigurisht edhe të rritjes së aktiviteteve subversive të shërbimeve të ndryshme sekrete. Pra, Kurti duhet të reflektojë, të rri në detyrë e të shndërrohet nga opozitari ndaj vetes në shtetar në shërbim të shtetit. Deri sonte është sjellë si opozitar, e jo si shtetar. Uroj ta ketë marrë leksionin sot, për të mos qenë vonë nesër. (21 nëntor 2022)