Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka thënë se Kosova dhe shoqëria kosovare gjithmonë ka qenë në rrugën e drejtë, duke iu referuar situatës në Veriun e Kosovës.
Sveçla ka reaguar pas dështimeve të bisedimeve në Bruksel, teksa ka treguar se “ka dezinformim”, për siç thotë ai nga mbështetësit dhe të punësuarit e Serbisë”, duke iu referuar mediave serbe të cilat raportuans se “ai gjendet në Veri të Kosovës”.
“Kohëve të fundit është shtuar e zgjeruar në lloje e metoda propaganda dhe dezinformacioni nga përkrahësit dhe të punësuarit e Serbisë. Natyrisht qëllimi i tyre është për t’ju shqetësuar e shtuar pasigurinë tek ju. Për çdo orë po shpërndahen kinse informata duke asociuar ndodhi nga e kaluara e largët dhe e dhimbshme”, ka shkruar Sveçla në Facebook.
“Por të dashur bashkëqytetarë dhe bashkëqytetare, siguria e të gjithëve, pa asnjë dallim, është mision, detyrë dhe mandat i yni kushtetues e ligjor që do ta zbatojmë me përpikmëri e vendosmëri”.
“Bashkëpunimi i ngushtë mes nesh, komunikimi i ndërsjellë dhe fryma e mirëkuptimit lehtësojnë zbatimin e misionit tonë. Policia e Kosovës është e përkushtuar dhe e gatshme që të ofrojë rend dhe siguri anë e mbanë Republikës së Kosovës në koordinim të ngushtë me partnerët dhe aleatët tanë ndërkombëtarë”, ka thënë ai.
“Ligjshmëria, respektimi dhe zbatimi i vendimeve të Qeverisë së Republikës së Kosovës janë rruga e duhur dhe e vetme në mbrojtjen e frymës dhe vet institucioneve, sundimin e rendit e të ligjit dhe garantimin e sigurisë publike”.
“Ju lus të gjithëve për bashkëpunim me përfaqësuesit e shtetit, zyrtarët policorë, solidarizim ndërshoqëror dhe ndërveprim me të gjitha institucionet e vendit tonë të cilët po kujdesen për zbatim të vendimeve tona të drejta”.
“Ne kemi qenë gjithnjë në rrugën e drejtë si popull e shoqëri. As u kemi shkaktuar të tjerëve padrejtësi as i kemi mbështetur ato kur u kanë ngjarë popujve të tjerë. Njëjtë jemi dhe sot. Të gjithë bashkë për vendin tonë, për demokracinë e ligjin tonë”, ka mbaruar Sveçla.
Situata në Veriun e Kosovës është e qetë. /Express